TIRANE- Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë e ndali edhe njëherë vëmendjen tek çështja kombëtare. Duke komentuar deklaratat e tij në lidhje me marrjen e shtetësisë shqiptare nga shqiptarët që nuk jetojnë në Republikën e Shqipërisë, Kryeministri deklaroi se ai nuk po e bën këtë për qëllime elektorale.
Ai tha se edhe minortiarët grekë që jetojnë në vendin tonë janë të pajisur edhe me pasaporta greke dhe nuk ka asnjë problem.
“Të gjithë ata që plotësojnë kushtet do të marrin shtetësinë shqiptare. Dhënia e shtetësisë nuk është përpjekje elektorale, është një praktikë e ndjekur nga vende të ndryshme”, komentoi ai.
Kryeministri shtoi ndër të tjera se Shqipëria është një vend që nuk ka pretendime territorale, por fqinjët tha ai duhet të heqin dorë nga albanofobia.
“Vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve. Por askush nuk mund ta mohojë që kombi shqiptar është i copëtuar në 5 shtete. Ai që e mohon këtë fakt nuk i kontribuon aspak stabiltetit. Albanofobia është problem serioz. Unë uroj që të fqinjët të clirohen nga kjo, ftoj në interesin më të mirë të tyre të kapërcejnë dasite shelkullore të vendosura në mënyrë të padrejtë ndaj shqiptarëve”, tha ai.