Kryedemokrati Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët u shpreh se është një klimë pozitive që i paraprin zgjedhjeve të 14 Majit, megjithatë theksoi se nuk thotë se do të fitojnë 100%.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha se fushata e PD-së do të bëhet me kontribute të mbështetësve të kësaj force politike teksa akuzoi kryeministrin Rama se sipas tij “ka plaçkitur vulën nëpërmjet pengjeve të tij”.
Sali Berisha: “Unë nuk them se do të fitojmë 100 për qind, unë nuk mund të them se cilën bashki nuk do të fitojmë pasi klima është pozitive. Ne jemi të angazhuar në fushatë serioze, më të pastrën që është zhvilluar që nga 1992. Sot ne jemi forcë politike, që bëjmë fushatë vetëm me kontributet e e mbështetësve tanë. 61 kandiatë kryesore të dalë nga primaret zhvillojnë fushatën më të pastër në ekzistencën, njësoj si në 1992-shin. Sot, Rama duke plaçkitur vulën nëpërmjet pengjeve të tij që i mban peng me lidhjet e krimit, ne bëjmë fushatë me kontributet e anëtarësisë dhe mbështetësve tanë. Edhe kjo përbën epërsi të madhe morale. Të vazhdojnë me tallavanë e tyre”.
Ndërsa për këngën e fushatës së Partisë Socialiste, kryedemokrati Berisha kishte këtë koment:
“Nuk kam patur kurrë dyshim se Rama është një mediokër, një artist i dështuar, një imitues vulgar, një zhgarravitës dhe asgjë më tepër në pikturë. Ky vlerësim u bazua gjithashtu në vlerësimin e dy gazetarëve të artit, ku i quajtën zhgarravina të një adoleshenti të droguar. Tek tallavaja, Rama është vetja e tij, është vulgariteti, mediokriteti dhe është ai aty. Edhe atë e ka tepër.”