Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot raportin e PD-së për atë që cilëson si farsën më të madhe elektorale në këto 32 vite demokraci.
Gjatë fjalës së tij para gazetarëve, Berisha tha se me këto fakte do të njihen të gjithë.
Berisha ka paralajmëruar se për kreun e qeverisë Edi Rama “korriku është përvëlues për të, por më shumë tetori”, referuar aferës së McGonigal.
“Do ju paraqesim raportin e PD për farsën elektorale të 14 majit. Ky raport bazohet në qindra mijëra fakte e dokumente të konstatuara në të katërta anët e vendit në dhunimet e pashembullta të së drejtës së votës, në shndërrimin e zgjedhjeve, në një farsë të vërtetë elektorale. Këto që shihni ju dhe të gjitha dosjet e tjera, janë dokumente zyrtare që dëshmojnë se Shqipëria kaloi me 14 maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32 vjeçare. Ky raport do të publikohet dhe me të do të njihen mediat qytetarët shqiptarë dhe institucionet ndërkombëtare. Do të gjenden modalitetet për t’u hedhur dhe në Amazonë, në mënyrë që mund të njihen të gjithë. Siç e keni marrë vesh, afera e tij (Ramës) kundër çdo lloj tagri ligjor del e pleksur dhe me aferën Deripaska. Sot Rama është më i rrezikshëm se kurrë.
Ai ishte i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës dhe këtë e bëri për lëkurën e tij. Korriku për të është përvëlues, por edhe tetori. Procesi McGonigal, edhe një herë theksoj, se me gjithë përpjekjet e Sorosit, për ta paraqitur si yll stabiliteti, do t’i dëshmojë botës se është aventurier pa parime. Ai është i aftë që të bëjë gjithçka që të thyejë çdo parim. Rama nuk lejoi regjistrimin e kundërshtarit të tij politik nga frika dhe tmerri. Komisionet territoriale ishin më të pabarabarta të këtij vendi. Për herë të parë, 867 mijë qytetarë u prekën nga qeveria për të blerë votën e tyre në kundërshtim flagrant me zgjedhjet. Ushtria e aktivistëve dhe patronazhistëve u sollën si terroristë elektoralë. Të gjitha këto janë të dokumentuara në këto dosje. Dita e votimit ishte ditë kulmore elektorale. Vetëm në një numër të kufizuar qendrash në bashkinë e Kuçovës janë konstatuar mbi 500 raste votimi në grup, familjar, ose në shoqëri dhe janë të gjitha video të dokumentuara. Imagjinoni ju se sa janë në të gjithë bashkinë Kuçove. Pra, vota u kontrollua në mënyrë të tmerrshme në çdo etapë kohore të saj. Gjatë fushatës, ditën e votimit dhe kështu me radhë.”, tha Berisha.