Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike, ndërsa kërkoi votën e demokratëve. Në foltoren me demokratët e qarkut të Elbasanit, ai tha se është gati të marrë drejtimin e partisë, nëse votohet dhe se është i hapur për çdo funksion kushtetues të këtij vendi. Gjatë fjalës së tij, Berisha foli me gjuhën e kryetarit të opozitës.

“U them gazetarëve që tani e tutje jam i hapur për çdo funksion kushtetues të këtij vendi. Cilindo kryetar që dëshironi ju unë do ta pranoj, unë jam i hapur. Historia ka treguar që rikthimet janë të dobishme. Ai duhet të largohet e të reflektojë thellë për deklaratat e tij se nuk ka kuvend e nuk lejon referendum dhe t’i tërheqë menjëherë këto deklarata. Ne do të rikthejmë votën dhe vullnetin tuaj dhe me votën tuaj të lirë do të përcaktoni deputetët dhe renditjen e tyre do të përcaktoni drejtuesit e degës dhe këshilltarët e qeveritarët vendorë. Kryetari në statut ka vendosur që këshilltarët duhet t’i miratojë kryetari i partisë këto janë absurditete që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk është kusht që kryetari i partisë të jetë dhe kryeministër, le të vendosë anëtarësia, ajo mban përgjegjësinë për të mbështetur këtë lokomotivë në zhvillimin e vendit. Kryetari nuk mund të marrë vendime duke shkelmuar statutin”.

Ish- kreu i PD-së i kërkoi falje demokratëve që ka mbështetur publikisht Lulzim Bashën, pavarësisht se siç shprehet ai i ka thënë gjithçka dhe këtë e ka të dokumentuar. Berisha tha se nëse këtë aksion politik që po ndërmerr tani, do ta zhvillonte në vitin 2017, Partia Demokratike tashmë do të ishte në pushtet. Duke e akuzuar Bashën si të pabesë, ai tha se edhe në librat e shenjtë thuhet që njerëz si ai nuk duhet të kishin lindur.