Kryedemokrati Sali Berisha do të paraqitet ditën e sotme në ambientet e SPAK pas vendimit të Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj pranë OPGJ-së.

Paralelisht, strukturat e Partisë Demokratike do të zhvillojnë një protestë para Prokurorisë së Posaçme që pritet të zhvillohet rreth orës 09:30, kohë kur atje pritet të shkojë kreu i PD-së, Berisha.

“Ditën e hënë në orën 9:30 të mobilizojmë të gjithë strukturat e degëve për të protestuar përpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Do jemi aty në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës që është në anën e kryetarit të PD, Sali Berisha”, thuhet në njoftimin dërguar degëve të partisë.

Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

Pavarësisht se kryedemokrati ka thënë se do të paraqitet në SPAK, vendimin e dhënë nga Apeli i GJKKO-së e konsideron antikushtetues e politik dhe shprehet se do e dërgojë në Strasburg.