• Habi dhe zhgënjim mes këshilltarëve të PD-së: “Me sa duket, me këto sajime, Doktori po “punon” në shtabin e Gjushit, që ky të fitojë mandatin e tretë”

DURRËS, 27 shkurt 2015 –  Të enjten, më 26 shkurt 2015, deputeti dhe ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në Kuvendin e Shqipërisë se, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ia ka dhënë tenderin e pastrimit të qytetit bregdetar Emiljano Shullazit. 

REAGIMET

Drejtori i ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit Luan Zaza e përgënjeshtron këtë deklaratë, pasi pastrimi i qytetit të Durrësit prej mbi 10 vjetësh nuk bëhet me sipërmarrje, por vetë nga kjo ndërmarrje në varësi të bashkisë. Këtë gjë e konfirmoi për “Dyrrah”-un edhe zyra e shtypit e kryebashkiakut Dako, “i cili nuk ka ndërmend të hyjë në “lojën” e opozitës për deklarime të pabaza apo shpifje e sajime të Berishës”.

Ndërkaq, disa anëtarë të djathtë të këshillit bashkiak të Durrësit kanë shprehur habinë me thënien e privatizimit të pastrimit, i cili kalon vetëm me vendim të “parlamentit” të qytetit. Ka njëfarë zhgënjimi: “Na ka vënë në pozitë të vështirë “Doktori” me fjalët që thotë në publik. Me sa duket, me këto sajime, Berisha, po “punon” në shtabin e Gjushit, që ky të fitojë mandatin e tretë”, tha një këshilltar i PD-së, që, natyrisht, kërkoi të mbetet anonim. 

JA Ç’THA BERISHA:

“Para pak kohësh Gjushit [Vangjush Dako] të partisë [socialiste] i bie telefoni me pesë të tjerë në tavolinë. 

“Kush je?” i thotë Gjushi. 

“Jam Emili” [Emiljano Shullazi]. 

Gjushi ia mbyll telefonin, të jem i drejtë. Këtë e kanë thënë të brendshëm. Pas tre minutash e merr në telefon Saimir Tahiri [Ministri i Punëve të Brendshme]. Pas kësaj bisede, ai [Shullazi] ka marrë tenderin e pastrimit të Durrësit”.

Info

Bashkia e Durrësit është autoriteti kryesor përgjegjës për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve në Durrës dhe ajo i kryen këto shërbime nëpërmjet dy ndërmarrjeve të saj të shërbimeve komunale: 1) Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës (NShKD) dhe Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Plazh (NShKP). Të dyja ndërmarrjet drejtohen nga Këshilli Bashkiak, dhe financohen kryesisht nga buxheti i Bashkisë. Ato janë përgjegjëse për pastrimin e qytetit, grumbullimin e mbetjeve, dizinfektimin, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, ndriçimin rrugor dhe varrezave publike, ofrimin e shërbimeve funerale, dekorin e qytetit si dhe planifikimin/ monitorimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve.Bashkia e Durrësit përcakton dhe publikon grafikun për pastrimin e qytetit (çdo ditë, herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje), dhe grafikun për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve (gjatë ditës).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/