TIRANE – Përmes rrjetit social “Facebook”, kryeministri Berisha u ka uruar të gjithë shqiptarëve 5- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, kryeministri thekson se “në këtë 5-vjetor, kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para veprës, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, sakrificës sublime të kryeheroit të kombit tonë, Adem Jashari e mijëra e mijëra luftëtarëve të lirisë që ranë për tu bërë të pavdekshëm për çlirimin e Kosovës.”- shkruan Berisha.
Për kryeministrin shqiptar çlirimi i Kosovës, mund të konsiderohet si faqja më e ndritur e përpjekjeve të shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin e tyre, që nga luftërat e Skenderbeut deri në ditët e sotme.
“Sot, ne shqiptaret shprehim mirënjohjen më të thellë ndaj SHBA, Presidentit Bill Clinton dhe Presidentit Xhorxh Bush si dhe ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, që luajtën rol kryesor në çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Një përshëndetje vllazërore le t’iu dërgojmë në këtë rast të gjithë qytetarëve të Kosovës, udhëheqjes politike të saj, që në 5 vjet pavarësi kanë shndërruar Republikën e Kosovës në një faktor të rëndësishëm të paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në rajon. Zoti e bekoftë Kosovën e pavarur dhe shqiptarët kudo që jane!”- përfundon mesazhi i kryeministrit Berisha në “Facebook”.