Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj analizës së politologut Ermal Hasimja për besueshmërinë dhe bashkëpunimin e opozitës, duke theksuar se PD-ja ka qëndruar e palëkundur si forcë opozitare në sfidat e fundit politike.
“Pas një kalvari të paprecedentë, Partia Demokratike arriti të qëndrojë si opozitë e vërtetë dhe nga tetori 2024 deri më 5 dhjetor 2025 mori 7 rezoluta ndërkombëtare nga të gjitha forcat e djathta dhe qendra të djathta, që denoncuan persekutimin politik nga Edi Rama, narkoshtetin e tij dhe farsën elektorale,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se PD-ja është e hapur ndaj bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare, ndërsa vlerësoi protestën e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe Adriatik Lapajt, që proteston çdo ditë para Kryeministrisë.
“Ka parti që refuzuan të bashkohen, por kjo nuk është pengesë për ne. PD-ja ka ofruar garanci për ndryshime konsensuale si opozitë, por nuk mund të diktojë jashtë vullnetit të tyre bashkëpunimin,” tha Berisha.
Në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Berisha nënvizoi gatishmërinë e PD-së për dialog me të gjitha partitë opozitare, duke theksuar se refuzimi për ndryshime vjen nga mungesa e vullnetit të qeverisë aktuale.
“Jemi tërhequr sepse Rama nuk ka vullnet për asnjë ndryshim përveç atyre që do vetë ai. Ai do të bëjë atë që do nëse ky popull nuk i tregon vendin,” tha Berisha.





