Agjendë personale i ka cilësuar Sali Berisha, takimet e Ervin Salianjit me demokratët. Në një deklaratë për mediat jashtë sallës së parlamentit, kreu demokrat theksoi se pretendimi i Salianjit se “militanti demokrat nuk dëgjohet” është një mashtrim i madh.

“Të deklarosh se militanti demokrat nuk dëgjohet nuk ka mashtrim në të madh. Këto 4 vite militanti demokrat ka votuar më shumë se kurrë. Të ndjekësh një agjendë personale është një zgjedhje që nuk ka asnjë kundërshtim”.

Berisha theksoi se strukturat e PD-së në Durrës e kanë braktisur Salianjin, duke konsideruar se atij iu bashkuan vetëm një grup të pakënaqurish, të cilët nuk u përfshinë në listat për deputetë ose, që sipas tij, kanë punuar për Partinë Socialiste dhe kanë frikë nga analiza e brendshme që po zhvillohet në parti.

“Ata ishin një grup të pakënaqurish se nuk u futën në listat për deputetë dhe të tjerë që punuan për PS dhe kanë frikë nga analiza  që po u bëhet.  Ata që i kanë tradhtuar militantët që kanë punuar për Ani Drymishët e të tjerë do japin llogari”, theksoi kreu demokrat.

Berisha paralajmëroi se do të ketë llogaridhënie për ata që kanë tradhtuar militantët dhe kanë punuar për “Ani Drymishët e të tjerë”, siç u shpreh ai.

Por nënvizoi se nuk bëhet fjalë për përjashtime, por llogaridhënie. “Ata që në vend të fushatës zgjodhën turizmin, kanë këto qëllime të tyre. I përgëzoj demokratët e Durrësit dhe u garantoj se do të ketë llogaridhënie,” deklaroi Berisha.

I pyetur nëse Ervin Salianji rrezikon përjashtimin, Berisha tha se deputeti është i lirë të vazhdojë agjendën e tij personale dhe të ngrejë çështje në kryesi, duke shtuar se “zgjedhja është thelbi i lirisë” dhe se Salianji ka marrë tashmë vendimin e tij.