Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, i pranishëm në panairin e Ditës së Verës në Elbasan, ka dhënë një urim për shqiptarët. Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal dhe te situata politike brenda Partisë Demokratike duke thënë se ka një përpjekje për të stisur përballjen mes votës së lirë dhe blofit.
Sali Berisha: Një urim të përzemërt kam për ata qindra mijëra shqiptarë që kanë mbushur sheshet për të protestuar kundër një politike cinike, të pashpirt, e cila përdor hijet e luftës në Ukrainë për të justifikuar rritjen dramatike, absolutisht të pajustifikuar të çmimeve, të produkteve jetike. Edhe njëherë gëzuar këtë ditë për të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe për mbarë shqiptarët.
Kjo do të jetë pranverë e përpjekjeve të mëdha të demokracisë për ngallnjimin e saj. Mesazhi më i shkëlqyer është bashkimi i demokratëve rreth votës së lirë dhe idealeve të saj.
S’po mbroj asgjë tjetër përveç votës së lirë, ka një përpjekje për të stisur një përballje mes votës së lirë dhe blofit, por atyre që e bëjnë këtë do t’u lëmë blofin në dorë.





