Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar publikimin nga Edi Rama të listës së zezë, me 101 emra të denoncuar nga qytetarët në “Facebook”. Për Berishën kjo është një praktikë komuniste të cilën ai u mundua ta shfajësonte më pas në një konferencë shtypi. 

“Edi Rama, i demaskuar si rrallë ndonjëherë më parë për listën e tij të zezë të shpirtit tij të zi, doli si i menderosur në konferencë shtypi. Qëllimi kryesor i tij ishte të mashtronte shqiptarët për listën e zezë, në të cilën ai kishte renditur pa asnjë fakt, provë, dëshmi apo dokument 101 emra përfshi dhe të vdekur duke rikthyer kështu një praktikë të etërve të tij bllokmenë hoxhist, në të cilën akuza ishte dhe prova e vetme qoftë dhe për pushkatimin e tyre.

Rama dje u tha shqiptareve se ai nuk e ka bërë listën, dhe kjo ishte njelloj sikur të thoshte se ai e ka miratuar por nuk e ka shkruar listën dhe se Facebook-u i tij ku u publikua lista është si një hale publike, natyrisht jo për publikun e gjerë por për fuget, agaçet dhe sojin e tyre. Në të vërtetë lista e zezë ishte një shpërthim i pakontrolluar i katranit të shpirtit të tij të zi!”, shkruan Berisha në Facebook.