TIRANË – Kryeministri Berisha përuroi sot Qendrën e të Dhënave Qeveritare, një investim prej rreth tre milionë dollarë i qeverisë shqiptare në kuadër të projektit “Shqipëria Dixhitale”. 

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit, kryeministri Berisha e cilësoi këtë qendër si trurin virtual të shtetit shqiptar, duke theksuar se Shqipëria në këtë drejtim ka bërë gjëra që kanë qenë dhe janë jashtë imagjinatës. 

“Inaugurimi i Qendrës së të Dhënave është një ngjarje kyçe, shumë e rëndësishme, një arritje shumë e madhe. Ne inaugurojmë sot një qendër të dhënash të standardeve më të avancuara që ekzistojnë. Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshme këto vite. Tirana u klasifikua ndër 20 qytetet smart të planetit. Të gjitha këto janë jashtë imagjinatës tonë. Pasi imagjinata në botën virtuale ka dimensione shumë më të mëdha se sa ajo në mendjen tonë.”- u shpreh kryeministri. 

Sipas Berishës, “qeveria do bëjë gjithçka që qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celularë të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti. Ky është objektivi. Dhe shumë shpejt ju do të jeni dëshmitarë të akteve të mëdha në këtë drejtim”. 

Ky investim, i pari i këtij lloji në administratën publike, do të shërbejë si pika kryesore e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit të institucioneve të administratës publike, ku do të instalohen pajisjet dhe sistemet më të avancuara të shërbimeve elektronike qeveritare për bizneset dhe qytetarët. 

Qendra e të Dhënave Qeveritare ka një sipërfaqe prej 672 m², dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike. 

Aktualisht në këtë qendër të dhënash janë në funksionim mbi 12 shërbime të përqendruara qeveritare për rreth 60 institucione të administratës publike që përfshijnë Kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e tyre të linjës. 

Për monitorimin e këtyre shërbimeve dhe të rrjetit qeveritar janë ngritur 9 sisteme për të menaxhuar dhe monitoruar në kohë reale të gjithë problematikën e kësaj infrastrukture teknologjike dhe moderne. 

Të gjitha shërbimet elektronike, ofrohen nga qendra e të dhënave qeveritare nëpërmjet rrjetit qeveritar prej 150 kilometër fibër optike të shtruar në qytetin e Tiranës.