Nga Durrësi kreu i ekzekutivit sulmoi aleancën kundër plehrave, që sipas tij është një aleancë e pashpresë
Sipas kryeministrit Shqipëria do të shndërrohet në eksportuesin e parë në rajon të karburanteve me origjinë bimore
Në ceremoninë e inagurimit të impiantit të ri të biokarbureve, në Porto-Romano mori pjesë kryeministri Sali Berisha. Investimi fillestar, i cili kap vlerën e 5 milionë eurove, me një kapacitet prodhimi prej 100 mijë tonë në vit, aplikohet për herë të parë në vendin tonë dhe ka për qëllim prodhimin e karburantit biodiesel, i cili përfitohet nga burime të rinovueshme si vajrat vegjetale, yndyrnat shtazore etj. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë investim si një hap shumë të rëndësishëm drejt shndërrimit të Shqipërisë në një përdorues të karburanteve me origjinë bimore. “Së shpejti, Shqipëria do të jetë një eksportues biodieseli në Itali dhe në Evropë. Ky investim, në serinë e investimeve të tjera të huaja, dëshmon suksesin e përpjekjes sonë për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më miqësor dhe më tërheqës për investimet e huaja”,- u shpreh kryeministri. Më tej, kreu i ekzekutivit theksoi se,- “për qeverinë, mjedisi dhe ruajtja e tij përbën një përparësi madhore”. Teksa e cilësoi si një investim mjaft të rëndësishem, kryeministri Berisha deklaroi se vendi do të shtojë investimet për përdorimin e pasurive natyrore në të mirë të qytetarëve, duke e vlerësuar këtë projekt, të parin e këtij lloji në vendin tonë.
Sipas kreut të qeverisë Shqipëria do të shndërrohet në superfuqi rajonale e më gjerë të energjisë së rinovueshme, duke u kthyer në eksportuesin më të madh të biodiesel-it. “Sot ne inaugurojmë këtu, në parkun energjetik të Porto-Romanos, një vepër shumë të rëndësishme në fushën e energjisë së vendit, inaugurojmë impiantin e parë të prodhimit të biodiesel-it në Shqipëri. Pra bëjmë hapin e parë shumë të rëndësishëm drejt shndërrimit të Shqipërisë në një prodhues të rëndësishëm të karburanteve me origjinë bimore, të karburanteve që përmbushin të gjitha standardet e zhvillimit të qëndrueshëm jeshil të vendit”, deklaroi kreu i ekzekutivit. Sipas kryeministrit, Shqipëria është nga të paktat vende që ka fatin e madh, që në një të ardhme jo të largët mund të shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale të energjisë së rinovueshme. Ai tha se vendi ynë ka rezerva të mëdha ujore dhe deri tani janë firmosur me sektorin privat kontrata investimesh për ndërtimin e hidrocentraleve, në vlerë rreth 3 miliardë euro.
”Në Shqipëri janë firmosur kontrata me investitorë privat për prodhimin e biodieselit, dallëndyshja e parë e të cilit është sot ky inaugurim dhe kablli nënujor për transmetimin e tij në Itali. Në Shqipëri është liçencuar ndërtimi i parqeve të mëdha eolike, deri tani rreth 1600 megawat, ndërkohë që 3200 megawat të tjera janë në studim e sipër. Shqipëria është vendi më diellor i këtij rajoni dhe ndoshta i Europës. Pra i hapur për energji diellore. Kështu që ne vërtetë jemi me fat, se ne mund të bëhemi vendi i parë eksportues i rëndësishëm i energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë. Ky është një zhvillim jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, për shëndetin e qytetarëve, direkt i lidhur me jetëgjatësinë e tyre”,- tha kryeministri. Më tej në fjalën e tij Berisha u shpreh se qeveria e tij i mban premtimet e dhëna, duke sjellë si shembull edhe investimin që inaguroi. “Gjashtë vjet më parë, kur ne shpallëm platformën tonë, Shqipëria ishte vendi që për vite me radhë kishte pasur si mesatare investimesh të huaja, gjithsej 38 milionë dollarë në vit.
Shqipëria në tre vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur investime të huaja çdo vit rreth 1 miliardë dollarë. Në këtë kontekst, unë dua të garantoj investitorët vendas dhe të huaj se me këto arritje ne nuk mbetemi të kënaqur. Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipërinë ta bëjmë gjithnjë e më tërheqëse për ta. Do të bëjmë gjithçka për investitorët vendas dhe të huaj, që projektet e tyre të shndërrohen në histori të mëdha të vërteta suksesi”,- u shpreh gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha. Nga Porto-Romano ku mori pjesë në inagurimin e impiantit të ri të biokarbureve, kryeministri Berisha u ndal sërish tek programi i ri i PS-së për rritjen e taksave ndaj të pasurve. Berisha theksoi se shqiptarët nuk e pranojnë të kthehen pas në kohë. Ndërkaq kryeministri Berisha nuk la pa sulmuar edhe aleancën kundër plehrave, e cila sipas tij nuk ka të ardhme pasi është një aleancë e dëshpëruar dhe e pashpresë.
“Më duhet t’u them antiglobalistëve se nuk keni të ardhme. Aleanca juaj e fundit, të cilën qytetarët rëndom po e cilësojnë si aleanca e plehut është aleancë e dëshpëruar, e pashpresë. Ju nuk promovoni aspak, pavarësisht nga pozicionet në të cilat ndodheni mjedisin e shëndetshëm. S’bëni gjë tjetër vetëm kërkoni të rrëmoni vota në plehra dhe ato nuk do t’i gjeni ndonjëherë, sepse ne do të bëjmë gjithçka që ky vend të jetë çdo ditë e më i pastër, që ajri, toka, uji i këtij vendi të jenë gjithnjë e më të shëndetshëm”,- përfundoi Berisha.