1 gusht 1013 – Kryeministri në detyrë Sali Berisha nuk ka nguruar për të komentuar edhe sot në rrjetin e tij social Facebook, mbledhjen e organizuar nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama me kabinetin e tij qeverisës.
“Të dashur miq, sot Piktori mblodhi në zyrën e tij kabinetin e vet qeveritar që është dhe ekipi më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë në Shqipëri. Vet Piktori, përveç aferave si ish-ministër i qeverisë Nano dhe Kryetar 20% i bashkisë së Tiranës, është i vetmi kryeministër këto 20 vite në Evropë që ulet në karrigen e kryeministrit me një vilë dhe një pallat 5 katësh me burim financiar të panjohur. Ministri i Financave Cani është guvernatori që pasi vodhi apo bashkëvodhi Thesarin e Shtetit dhe pas zhdukjes së tij deklaroi se Banka nuk ka pasur në Thesar flori.Ministrit të Shëndetësisë Beqja është i vetmi që iu hoq mandati i deputetit sepse me baxhanakun e Piktorit kishte bërë kërdinë me tendera në bashki. Ai ka falsifikuar mijëra e mijëra pensione për të cilat po ndiqet. Ministri i Brendshëm Tahiri është i vetmi deputet me skaf dhe që iu arrestua i ati në flagrancë për kontrabandë ilaçesh dhe e ëma ndiqet për evazion fiskal në shumën 80 mijë euro. Ministri i Ekonomisë Ahmetaj është në ndjekje për vjedhjen prej 10 milion euro që i ka bërë kompanisë Albtelekom me kompaninë e tij private Hermes.Ministri i Mirëqenies Sociale, më mirë të themi i mirqënies personale, Erion Veliaj është bërë i famshëm si njeriu që me paratë e Mjaftit ndërtoi një vilë për vete dhe një vilë për Velicen pa firmosur në jetën e tyre ndonjëherë në bordero. Ai më pas për të zhdukur gjurmët e kësaj afere vodhi vetë kompjuterin e financave të Mjaftit. Këto ishin vetëm disa nga aferat e disa prej anëtarëve të "ansamblit lukunia"! Këtij i thonë ndryshim! Përpara drejt Kleptokracisë”, komenton Berisha në Facebook.





