BERAT, 10 prill 2013 – Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me fermerët e Beratit pasditen e sotme, deklaroi se zhvillimi dhe modernizimi i metejshëm i fermerëve shqiptarë është një nga qëllimet më madhore te qeverisë. 

"Ne jemi të bindur se Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar, pa një fshat të zhvilluar në shkallën e fshatrave të vendeve të zhvilluara. Në 2005 ne përcaktuam këtë objektiv, që në pamje të parë dukej utopik, aspak realist. Ne përcaktuam detyrën tonë që kudo në Shqipërinë rurale të ndërtohej e njëjta infrastrukturë me lagjet e qyteteve. Të ndërtonim rrugë, kanale vaditjeje, shkolla, kanalizime me të njëjtat standarde me lagjet e qytetit", tha Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit, kreu i qeverisë sulmoi programin e PS “Për një Rilindje Shqiptare’. Sipas Berishës në 8 vite, opozita ka premtuar asgjë për fermerët, përveç naftës e cila sipas tij avulloi në xhepat e socialistëve. Kryeministri tha se politika e kryesocialistit Rama do të marrë përgjigjen e merituar me 23 qershor. 

“Vështroni alternativën tjetër. Më thoni ju, në 8 vjet keni dëgjuar qoftë një propozim tw vyer për ju përveç naftës. Ato e dhanë por avulloi në xhepat e tyre, por nuk erdhi tek ju. Ne do veprojnë që çdo gjë të vijë tek ju. Thotë unë do heq TVSH për ushqimet, por kjo do tw thotë të godasësh çdo prodhim shqiptar, unë nuk jam kundër konkurrencës, por unë jam për konkurrencë të ndershme. Kjo është politikë kokëposhtë e zotërisë së tij dhe do marrë përgjigjen e merituar me 23 qershor. Do rrisë taksat për bizneset, harrohet se agrobiznesi që ju jeni lidhur në mënyre jetike është nje nga bizneset jetësore, por nëse rrit taksat për bizneset e mëdha dekurajon që të investojnë edhe investitorët e huaj”, deklaroi Berisha. 

“Në Berat,- shtoi kreu i qeverisë,- janë subvencionuar mbi 2600 hektarë, ne do ta trefishojmë këtë”. "Hapja e Shqipërisë ndaj turizmit ka sjellë në Shqipëri 4.7 milionë turistë, një treg më të madh për prodhimet tuaja. Hapja ka sjellë eksportet që janë trefishuar. Kjo është një rrugë e mundimshme. Nëse vendoset tani taksa progresive, taksa e lartë, pse do vihet, s’ka asnjë motiv", tha Berisha.