TIRANË-Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar sot në rrjetin social Facebook programin ekonomik, pjesë të të cilit u bënë publik dje nga kryesocialisti Edi Rama gjatë një komunikimi në rrjetin social, Tëitter me mbështetës dhe fansa.
Sipas Berishës, Edi Rama është shprehur se programi i PS kërkon dy mandate qeverisje të realizohet plotësisht. Dhe këtë deklaratë, kryeministri e lidh me një skec të luajtur nga humoristi i madh shkodran, Gëzim Kruja.
“Premtimet e zotit Rama janë si në skecin e Gëzim Krujës. Kohët e fundit zoti Rama në disa takime, i pyetur nga socialistët për programin ekonomik të Partisë Socialiste është përgjigjur se për zbatimin e programit ekonomik të PS, një mandat është i pamundur prandaj i duhen dy mandate. Në njërin nga këto takime një socialist shkodran i thotë: Ju shoku kryetar po me kujtoni një skeç të humoristit tonë, Gëzim Kruja në të cilin gruaja pyet të shoqin se çfarë peshqeshi ka me i ba ai për 8 mars. Burri i premtoi të shoqes si peshqesh një palë vathë. Dita e festës erdhi dhe e shoqja, tani me qejf, po priste peshqeshin e premtum. Mirëpo kur ajo pyeti të shoqin për vathët, ai tani habi ju përgjigj: shpirt a ke harru se në këtë vit e lamë që ti me shpu veshët dhe unë vitin tjetër me të ble vathët. Uhhh me marrsh të keqen, cfar rrenet! Mu veshët mi ka shpu nanadaje qysh në kopsht – sb”, shkruan Berisha në Facebook