Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me banorët dhe anëtarët e degës nr. 2 në Tiranë, ku ka kërkuar mbështetje për zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe abuzim me tenderat e rrugëve, duke theksuar se shumë projekte janë ndarë në kontrata të vogla për t’u pasuruar individë të lidhur me pushtetin.

Ai ka përmendur si shembull tenderin e ndërtimit të djegësit të kryeqytetit, për të cilin janë dhënë 130 milionë euro, por që ka rezultuar pa asnjë ndërtim, ndërsa paratë janë përfituar nga qeveria dhe lidhjet e saj. Berisha premtoi se nëse fiton në 11 maj, do të luftojë korrupsionin dhe do të kthejë paratë e vjedhura nëpërmjet rrogave, pensioneve dhe shërbimeve publike.

Kreu i PD-së gjithashtu ka bërë një premtim konkret për faljen e gjobave të dritave dhe ujit, duke u shprehur se nëse vjen në pushtet, do të bëjë një amnisti për gjobat dhe do të lehtësojë biznesin e vogël dhe qytetarët nga barra e padrejtë. Ai ka kritikuar qeverinë për favorizimin e ndërtuesve të mëdhenj, duke pasur si shembuj pallatet që ndërtohen pa paguar gjoba, ndërsa qytetarët e thjeshtë përballen me masa të ashpra.

Berisha ka akuzuar gjithashtu drejtuesit e OSHEE-së për abuzime me gjobat dhe kamatën, duke premtuar se këto praktika do të mbyllen dhe do të eliminohen nëse ai vjen në pushtet.