Ish-kryeministri, Sali Berisha ishte në Tropojë ditën e sotme në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Besnik Dushaj.
Nga Tropoja Berisha deklaroi se të gjithë shqiptarët do të kenë të drejtë të mbajnë shtetësinë e Shqipërisë kur ai të vijë në pushtet.
Ai tha se do të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për të lejuar edhe ata shtetas të Shqipërisë të marrin shtetësinë e Kosovës.
Më tej Berisha shtoi se se kryeministri i vendit, Edi Rama derdh lot për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë por nuk lejon votimin në Kuvendin e Shqipërisë të rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë.
Berisha: Sapo të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, Shqipëria do firmosë marrëveshje me Kosovën për vendosjen e dyshtetësisë. Të gjithë shqiptarët do kenë të drejtë të mbajnë shtetësinë e Kosovës ose Shqipërisë, njërën ose tjetrën, ose të dyja së bashku. Ai kufi mbetet si një relike, dëshmi e një padrejtësie historike të pashembullt që është bërë ndaj shqiptarëve. Do bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndjehen një komb, një qëndrim, një të ardhme. Këto dy ditë derdhte lot për luftëtarët që gjykohen në Hagë, por në të njëjtën ditë nuk lejonte votimin nër Parlament të dënimit të gjenocidit serb në Kosovë. Çfarë shqiptari është ky? Ky është një hipokrit. Një antishqiptar. Lidhja e Shqipërisë me Kosovën me hekurudhë, do jetë projekti i dytë i katërvjeçarit të parë të PD në pushtet.