Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi se do të ndryshojë listën e barnave të rimbursueshme për të siguruar që të gjithë pensionistët të marrin ilaçet falas dhe me të njëjtën cilësi si në Itali. Gjatë një takimi me banorët e Fushës së Aviacionit, Berisha theksoi se në muajin e parë të qeverisë së tij, do të rikthehet ligji që do të ndalojë tregtimin e ilaçeve të skaduara ose me efekt gjysmë.
“Do të ulim energjinë në 7 lekë, do të përgjysmojmë tarifën e ujit. Do të përfshijmë në listën e rimbursimit 100% të gjithë ilaçet që një vend i zhvilluar, si Italia, i ka në listën e tij të rimbursimeve. Nuk jemi si Italia, por për të sëmurët do të bëhemi si Italia. Ilaçet mund t’ua sigurojmë, edhe pse nuk arrijmë rrogat e tyre, por ilaçet do t’ua sigurojmë. Lista e rimbursimeve do të ndryshojë dhe do të plotësohet. Pensionistët do të marrin ilaçet falas dhe me të njëjtën cilësi si në Itali”, tha Berisha.
Ai gjithashtu shpalli se çdo shqiptar do të marrë 200 euro në muaj, ose 6.3 euro në ditë, si një masë për të dalë nga mjerimi.