Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me banorët e Baldushkut, ku premtoi mbështetje të madhe për bujqësinë nëse opozita fiton zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Berisha kritikoi ashpër qeverinë, duke e akuzuar se e ka braktisur këtë sektor jetik. Ai garantoi se subvencionet për bujqësinë do të 5-fishohen, duke iu referuar modeleve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku ndihma shtetërore është disa herë më e madhe se në Shqipëri.
“Ne i detyrohemi fermerëve mbështetje për prodhimin, krijimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, njësoj si në qytet. Subvencionet do të jenë një emergjencë për ne dhe do t’i praktikojmë menjëherë. Për çdo kredi që fermerët do të marrin për sera apo bagëti, ne do të mbulojmë 80% të interesave,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Shqipëria ka një tokë të pasur dhe pjellore, por mungesa e vëmendjes nga qeveria ka ndikuar negativisht në zhvillimin e sektorit bujqësor. “Transformimi i infrastrukturës rurale do të jetë prioritet. Ne do të subvencionojmë çdo fidan të mbjellë dhe çdo kokë bagëtie të mbajtur,” shtoi ai.
Berisha e mbylli fjalën e tij me një angazhim të qartë: “Bujqësia do të jetë prioriteti ynë kryesor, ndryshe nga kjo qeveri që e ka lënë pas dore”.