BURREL, 31 maj 2013 -Kreu i qeverisë, Sali Berisha prezantoi paraditen e sotme kandidatët e së djathtës për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit.
Berisha përshëndeti matjanët e mbledhur në shesh, duke kujtuar se nga kjo zonë doli i pari mbret i shqiptarëve.
“Ju përshëndes ju që i dhatë kombin mbretin e parë të shqiptarëve, ndërtuesin e shtetit të lirë shqiptar, burrin që konsolidoi pavarësinë e Shqipërisë dhe i dha asaj orientimin perëndimor. Mbretit Zog, birit tuaj të shquar dhe mbarë kombit mirënjohës për jetë të jetëve. Në 100 vjetorin e pavarësisë ai u rikthye në dheun e tij”- tha ai
Sipas Berishës, qeveria kreu reforma të mëdha gjatë 8 viteve duke i dhënë vendit anëtarësimin e NATO dhe rritur mundësitë për integrimin në BE.
SHEHU: BESOJINI PD-së, ALTERNATIVËS SË VETME PËR PUNËSIM
Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, njëkohësisht kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Dibrës, ftoi të premten qytetarët shqiptarë që në 23 qershor t'i thonë jo Edi Ramës dhe alternativës që ai ofron dhe të votojnë pro krijimit të vendeve të punës, zhvillimit dhe Partisë Demokratike.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve matjanë, që kishin mbushur sheshin qendror të qytetit në mitingun e çeljes së fushatës elektorale të PD-së, Shehu renditi arsyet se përse shqiptarët në 23 qershor nuk duhet të votojnë për Edi Ramën. Modeli i Ramës dhe alternativa e tij është rritja e taksave dhe ulja e punësimi.
"Edi Rama mbajti peng integrimin, duke iu sjelle qytetarëve shqiptare humbjen e qinda milionë eurove investime", deklaroi ai.
Qeveria shqiptare, tha ai, në këto vite ka ndërtuar një infrastrukturë moderne në të gjithë vendin.
Këto investime, tha ai, bënë që të rritet punësimi si dhe prodhimi bujqësor me 30 %.





