Sali Berisha ka prezantuar sot programin e Partisë Demokratike përpara të rinjve, duke bërë thirrje për angazhim dhe veprim të shpejtë në ditët që mbeten deri në zgjedhjet e 11 majit.
Ai e nisi fjalën e tij duke kujtuar vendimin e tij për t’u larguar nga karriera si mjek dhe për t’u futur në politikë, duke theksuar rëndësinë e vendimeve të mëdha që ndryshojnë jetën. Sipas Berishës, ky vendim, i cili erdhi pas moshës 40 vjeçare, ishte një hap i rëndësishëm për t’i dalë kundër diktaturës komuniste dhe për të ndryshuar historinë e Shqipërisë.
Berisha i bëri thirrje të rinjve që të shfrytëzojnë këto 39 ditë për të luftuar, siç tha ai, “diktaturën e dytë” që, sipas tij, është e pranishme në vend. Ai e përshkroi Edi Ramën si një “meme të gjallë, meme që ecën”, duke ironizuar me reagimet e tij në rrjetet sociale, të cilat sipas Berishës e detyruan Ramën të mbyllte llogarinë në TikTok.
“Vendimi është arma më e fuqishme e njeriut,” tha Berisha, duke shpjeguar se vetëm një vendim kishte ndryshuar jetën e tij dhe kishte pasur një ndikim të madh në fatin e Shqipërisë. Ai e theksoi se transformimi i tij nga mjek në politikan kishte ndodhur për shkak të një vendimi të guximshëm që sfidoi diktaturën e kaluar.
Në fjalimin e tij, Berisha kujtoi gjithashtu rolin e Azem Hajdarit dhe të rinjve të vitit 1990, që u ngritën si heronj të lirisë, dhe tha se pa ata dhe pa vendimet e atyre kohëve, historia e Shqipërisë mund të kishte qenë ndryshe.