TIRANE, 05 mars 2013- Kryeministri Sali Berisha i pranishëm në konferencën “Industria e detit e perspektivat e saj” bëri me dije se qeveria që ai drejton do bëjë gjithçka që ky sektor gjysmë i harruar, sic tha ai të shndërrohet në një sektor të rrites ekonomike. 

“Shqipëria një vend i vogël me potencial të madh ujor. Me detet, liqenet e lagunat e saj ka faunën ndër më të pasurat që mund të ekzistojë. Në ujërat tona rriten speciet më cilësore, më të mira, më të rralla të Europës dhe më gjerë. Adriatiku dhe Joni janë të famshëm për peshqit. Ujërat e ëmbla kanë koranin mbretin e salmonideve, trofta. Është në detyrimin e qeverive të vendeve të bëjnë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike të këtij sektori. Shqipëria ka potencial edhe për 10 herë më shumë, por kjo kërkon politika intensive, kërkon qëndrime tërësisht të reja ndaj këtij sektori të skajuar që të kthehet në një sektor të rëndësishëm të ekonomisë. Ky sektor sot është gjysmë i harruar. Në traditën tonë, në tryezën tonë peshku është një rishtar, kjo traditë nuk ka ekzistuar. Imagjinoni ju kryetarë bashkish që luftojnë kundër ngritjes së porteve, nga ana tjetër peshkatarët janë heronj të vërtetë bëjnë jetë të vështirë, mbajnë familjet e tyre dhe rrezikojnë jetën”, tha Berisha. 

Kryeministri premtoi një program kombëtar për sektorin e peshkimit. 
“Kjo është një industri që punon e lëndë të parë të importuar, ky është realiteti, kërkon politikë dhe ndërhyrje të fuqishme transformuese, njëlloj si morëm programet e mëdha të zhvillimit, do ndërmarrim program kombëtar për peshkun e peshkimit. Program Kombëtar që të përdorë të gjitha metodat, për ta spostuar këtë industri në nivele shumë të larta se sot. Flotilja e peshkimit ka sot mjete që ju ka kaluar koha me dekada. Potencialet për ferma peshku janë shumë më të mëdha, ka mbi 600 rezervuare e qindra liqene ku me pikatore bëhet peshkëzimi i tyre, ose s’bëhet fare”, shtoi kryeministri 

Sipas Berishës duhet “bashkëpunim intensiv për krijimin e rasateve në popullimin e ujërave, me rëndësi është edhe ripërtëritja e flotës së peshkimit, do jetë një nga projektet më të para”, tha ai. 

Ndër të tjera kreu i qeverisë tha se “Paketa e re fiskale përfshin të gjitha mjetet e makineritë e cdo gjë tjetër që nevojitet në këtë fushë. Qeveria pret me shumë interes, konkluzionet dhe përfundimet e kësaj konference, ta vendosim këtë degë në vendin që i takon”, vijoi ai.