TIRANE, 4 prill 2013- Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi sot projektin për bujqësinë dhe zhvillimin rural si një nga më të rëndësishmit për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe punësimin. 

Duke folur në një tryezë të rrumbullakët me akademikë, ku u diskutua mbi zhvillimin rural, Kryeministri Berisha u shpreh se "projekti ynë për një zhvillim rural dhe bujqësi moderne synon në një kohë, sigurisht jo afatshkurtër, dhjetëfishimin e prodhimit bujqësor. Ne llogarisim si kusht udhëheqjen tuaj në këtë proces. Ju do të jeni arkitektët më të mirë të këtij projekti ambicioz, por tërësisht të mundur për t’u arritur, siç është faktuar dhe në vendet e tjera dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë vend i zhvilluar". 

Gjatë këtyre viteve, tha Berisha, "përqëndrimi ynë total ka qenë ndërtimi i një infrastrukture moderne. Nën moton "t'u japim fshatrave infrastrukturën e lagjeve të qyteteve", kemi drejtuar në Shqipërinë rurale mbi 60% të të gjitha investimeve tona, kemi ndërtuar mbi 8 mijë kilometra rrugë, mbi 1000 shkolla, qindra ujësjellësa dhe kanalizime dhe prapë është një inventar i tërë për t'u realizuar dhe do të realizohet shumë shpejt. Në mandatin e ardhshëm ne jemi ambicioz për të nisur infrastrukturën më moderne në bujqësi". 

Kryeministri siguroi se "qeveria do të bëjë gjithçka për përmirësimet rurale cilësore, për t’i garantuar zonave rurale të Shqipërisë parametrat njësoj si në zonat urbane. Do të bëjmë gjithçka për të paraqitur programe siç është ai i ullinjve që po lëshon shtat çdo ditë e më shumë". 
"Kemi ndërmarrë projektin tjetër të arrorëve. Interesi është shumë i madh dhe në rritje. Këto ishin dy projektet kryesore. Koncepti i krijimit të pyjeve e druve frutorë po ecën kudo”, tha Berisha 

Kryeministri shtoi se "e një rëndësie të jashtëzakonshme për ne është hapi i madh cilësor në përmirësimet racore. Aty qëndron dhe roli juaj më kryesor. Çfarë duhet të bëjmë ne që të mbarështojmë racat më të mira, fidanet më të mira. Përqëndrimi në këtë rafsh është një pikë për projektin tonë ambicioz. Krahas kësaj, duhet të qëmtojmë për çdo potencial të pashfrytëzuar". 

Sipas Kryeministrit, bujqësia ka një aspekt jetik, që është punësimi. "Vendet e punës krijohen me kosto më të ulët në bujqësi", tha Berisha. 
Kryeministri gjithashtu kërkoi ndihmën e akademikëve për studime në këtë sektor, duke theksuar se qeveria do të mbështesë kërkimin shkencor. 
"Është jashtëzakonisht i rëndësishëm roli juaj kërkimor dhe shkencor. Është me rëndësi që ju të përcaktoni të gjitha modalitetet dhe ndërhyrjet. Ne jemi të gatshëm të përshtasim politikat më nxitëse", theksoi Berisha. 

Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se është e rëndësishme të shfytëzohen të gjitha potencialet që ka vendit dhe të hiqet koncepti për toka të pafrytshme. 

"Pa kërkimin tuaj shkencoer kjo është e pamundur të realizohet. Po përqëndrohemi në këtë fushë që është jetike për projektin tonë ambicioz. Ne duhet të shohim për çdo potencial të pashfrytëzuar. Me studime të veçanta të bëjmë që toka të prodhojë dhe të zhdukimin konceptimin që ka qënë për tokë të pafrytshme. Në konceptin e mëparshëm ne kishim tokë bujqësore më pak se çdo vend në Europë, ndërkohë që potencialin e kemi shumë herë më të madh”, shtoi Berisha