TIRANË- Kryeministri Berisha priti sot, në takim, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Mentor Shala dhe Drejtorin e Televizionit Bekim Hasani, të cilët ndodhen në Shqipëri, pas propozimit të Kryeministrit Berisha për unifikimin e hapësirës së valëve midis Shqipërisë dhe Kosovës. 

Zoti Shla, duke e falënderuar për pritjen e përzemërt, i tha Kryeministrit se propozimi i tij për një hapësirë shqiptare unike të valëve është mirëpritur jo vetëm nga komuniteti mediatik dhe ka gjetur një mbështetje të gjerë në Kosovë. 

Kryeministri Berisha i përgëzoi për vullnetin e dëshmuar për të vënë në lëvizje unifikimin e hapësirës unike të valëve, ndërsa theksoi se ky është një hap i domosdoshëm, pjesë e një procesi të gjerë, në mënyrë që kombi të ndjehet një. 

Duke shtjelluar këtë projekt, Kryeministri tha se realizimi i tij është plotësisht i mundshëm dhe se do t’i kërkojë RTSH-së mundësinë e vendosjes së repetitorëve të RTK-së në pikat e transmetimit të televizionit publik shqiptar në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa ftoi edhe të gjitha mediat e tjera në Kosovë, në rast se dëshirojnë, të shtrijnë transmetimet e tyre në Shqipëri. 

“Për të realizuar një gjë, hapi i parë e më i rëndësishëm është t’i besosh asaj dhe unë i besoj më shumë se çdo gjëje tjetër pas Zotit, procesit të bashkimit të kombit shqiptar dhe jam i vendosur e i bindur se çdo ditë shqiptarët do të punojnë kudo që janë. Ky është një proces më i gjerë. Ne jemi një komb që ka më shumë se gjysmën jashtë trojeve etnike, mund të them se ky është vetëm fillimi i një procesi, i cili do të çojë drejt bashkimit të shqiptarëve rreth idealit të tyre kombëtar evropian”, tha ai.