TIRANË, 24 shkurt 2013 – Një ditë pas takimit me gjimnazistët, të cilët i inkurajoi të përdornin Facebook-un, kryeministri Sali Berisha njoftoi përmes profilit të tij në rrjetin social se shumë shpejt qeveria do t’i hapë rrugë kompanive celulare 3G të implementojmë teknologjinë 4G. Sipas Berishës, Shqipëria mobile, ky është projekti në 4 vitet e ardhshme qeverisëse.
“Teknologjia 3G u shtri në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2012 numri i përdoruesve të internetit nëpërmjet rrjeteve celulare 3G arriti në rreth 308 mijë abonentë krahasuar me zero përdorues në vitin 2005. Vetëm brenda dy viteve të fundit arritëm të kemi në treg 3 kompani celulare me teknologji 3G, të cilat ofrojnë internetin me shpejtësinë më të lartë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Shumë shpejt qeveria do t’i hapë rrugën kompanive celulare 3G në Shqipëri që të implementojnë teknologjitë 4G në frekuencat aktuale, gjë që do bëjë të mundur të merrni në celularët tuaj internet prej 100 Mbps. M-Albania, Shqipëria mobile, është projekti ynë për katër vitet që vijnë!”, ka shkruar Berisha në Facebook.





