Nga foltorja e Parlamentit, kryetari i PD-së, Sali Berisha iu ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protesta, për të cilën ka thënë se është rruga e vetme për të luftuar manipulimet në zgjedhje.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha, beson se qindra-mijëra shqiptarë do të ngrihen në protesta.
Berisha: Jam këtu për të denoncuar farsën e turpshme kriminale elektorale të 14 majit. Në këtë farsë, krahas dërgimit të 683 mijë zarfeve në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit dhe Kartën e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për herë të parë në historinë e këtij vendi krahas caktimit të kryetarit të koalicionit opozitar nga qeveria, një akt i shëmtuar që tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi, komisioneve 6 me 1 apo 6 me 0 si kurrë në historinë e këtij vendi, krahas qindra milionë eurove të shpërndara nën dorë nga Edi Rama dhe asistenti i tij Tom Doshi, të cilët deformuan në mënyrë ekstreme një rezultat, ku për 40 përqind të votave, arrihet vetëm 5 për qind pushtet, u përdor një mekanizëm tjetër kriminal monstruoz për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve. U përdorën zgjedhësit fantazmë apo zgjedhësit që votuan mbi 1 herë, dy apo tre herë në qytete të ndryshme. Zgjedhësit fantazmë që votuan më shumë se një herë ishin në total 547 mijë të tillë.
Në Bashkinë e Vlorës ata arrinin në 29 për qind, në Bashkinë e Vorës 15 për qind, në Përrenjas 28 për qind, në Kurbin 30 për qind, në Konispol 34 për qind, në Has 18 për qind, në Kamëz 21 për qind, në Durrës 23 për qind, në Shkodër 16 për qind, në Devoll 20 për qind, në Delvinë 34 për qind, në Mallakastër 11 për qind dhe kështu me radhë. Është kjo ushtri e zgjedhësve fantazmë që u përdor masivisht për të mashtruar rezultatin e zgjedhjeve më 14 maj, krahas faktorëve të tjerë.
I denoncoj këtu në parlament këtë batërdi elektorale, këtë farsë për t’u thënë shqiptarëve se ka vetëm një rrugë që ju të votoni të lirë, ka vetëm një rrugë që Edi Rama të mos blejë me paratë tuaja publikisht votën, ka vetëm një rrugë që Edi Rama të mos blejë nën dorë me qindra milionë euro vota, ka vetëm një rrugë që Edi Rama të mos përdorë zgjedhësit fantazmë dhe kjo rrugë është protesta, protesta dhe vetëm protesta.
Kombi polak, për një ligj që vë në diskutim procesin zgjedhor, është i tëri në rrugë. Unë qëndroj këtu me thirrjen time të fuqishme, në protestë dhe vetëm në protestë. Përndryshe, ata që përpiqen të justifikojnë këtë vjedhje monstruoze të votës, bëhen mbështetës të një krimi të paparë në historinë elektorale. Unë kam bindjen se qindra mijëra idealistë që votuan për opozitën do ngrihen dhe do krijojnë mundësinë që të votojnë të lirë.