Pasi iu ndërpre fjala në foltoren e Kuvendit, kryetari i PD, Sali Berisha ka folur për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit.

Berisha tha se fjala e tij u ndërpre kur përmendi skandalin e pastrueses Rozeta Dobi dhe qindra mijëra eurot e vjedhura pa pronar, duke shtuar se këto para presin autorësinë e ministrave.

Sakaq, ai foli edhe për përjashtimin e 4 deputetëve nga grupi parlamentar , teksa tha se mund të ndodhë vetëm në Shqipëri që kryeministri të përjashtojë deputetë, duke nënkuptuar një marrëveshje mes Ramës dhe Alibeajt, siç e ka përmendur dhe në deklarata të mëhershme vazhdimisht.

Kryedemokrati paralajmëroi protesta kombëtare kundër qeverisë “Rama”.

“Asnjë prej tyre nuk ishte i zoti të dilte dhe të thoshte ajo nuk ka punuar në shtëpinë time, bëri ca tentativa Pelshi por të paqarta. Janë 600 mijë euro që presin autorësinë e ministrave. E patë si u prish parlamenti kur kërkova të na thonë ku ka punuar Rozeta. Ose do e zgjidhe ky grup atë, janë 620 mijë votues të cilët kanë votuar për opozitën e cila nuk ka gjë në dorë përveç kontrollit dhe fjalës, këta nuk duan të na i lejojnë por ne do i fitojmë të dyja. Të gjitha format do jenë. Sot foli opozita, këta përpiqen me çdo kusht që opozita të mos flasë, kjo ka marrë fund, ne kemi marrë vendimet tona dhe do i njihni dora dorës. Parlamenti është tribunë e të dyja palëve, opozita e përdor vetëm për transparencë. Ne do përgjigjemi me të gjitha format demokratike. Protesta është më afër se ç’mendoni”,-tha Berisha.