Ish-kryeministri, Sali Berisha ka vlerësuar protestuesit për bllokimin e parlamentit ditën e sotme me protestën e tyre të vendosur.
‘Ky është një akt madhor i mosbindjes civile dhe një mesazh për shqiptarët dhe botën’, u shpreh Berisha në tubimin e mbështetësve të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Narkoshteti është i rrethuar sot nga të gjitha anët.
Mediat, pushtet themelor në një sistem demokratik, janë në këmbë në Itali, në Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe, SHBA dhe kudo kundër narkoshtetit të Tiranës.
Kundër tiranit të drogës, kundër Çubrilloviçit që ka shpopulluar Shqipërinë, kundër armikut të opozitës, armikut të egër të lirive të shqiptarëve.
Dhe kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për ne.
Çdo ditë kjo mbështetje vjen dhe bëhet më e madhe.
Çdo ditë, lidhjet me drogën dhe krimin të Edi Ramës, Taulant Ballës, Fatmir Xhafës, Ulsi Manjës, ndrikullave të partisë, Engjëll Agaçit, Ergys Agasit e dhjetëra e dhjetëra zyrtarëve të tjerë, nxijnë dhe më shumë, bëhen më të shëmtuara.
Miqtë e mi, ka vetëm një rrugë, rruga e protestës dhe përballjes.
Rruga e fitores.
Keni qëndruar sot orë të tëra në kupë të vapës, në diell. Keni bllokuar parlamentin.
Ky është një akt madhor i mosbindjes civile. Ky është një mesazh për shqiptarët dhe botën.
Kjo është një mbrojtje e guximshme e interesave jetike të çdo shqiptari të vërtetë.
Ndaj dhe në këmbë të gjithë, të vazhdojmë betejën tonë.
Sepse vetëm mosbindja jonë civile, vetëm zemërimi ynë i pakufishëm, vetëm revolta jonë do mund t’i japë përgjigje Edi Ramës, njeriut që në historinë e këtij kombi do mbahet mend si shpopulluesi më i egër i shqiptarëve.
Si kryeministri që kreu gjenocid të vërtetë ndaj kombit shqiptar duke krijuar kushte të llogaritshme për largimin e tyre nga dheu i tyre.