Sali Berisha kërkoi që krijimi i qeverisë teknike të vendoset në Kushtetutë. Ai mori si shembull pozitiv Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut që e kanë të sanksionuar.

Ne do bëjmë gjithçka për qeverinë teknike, duke e ofruar atë, duke e vendosur atë si institucion në Kushtetutë, në mënyrë që të mos jetë kjo jo vetëm për këtë radhë, por gjithnjë. E provuar në dy vende, në Greqi dhe më vonë në Maqedoninë e Veriut, ka dhënë rezultate shumë të mira“, – tha Berisha.

Berisha theksoi në bashkëbisedimin me gazetarët se falë aksionit politik të opozitës, disa ish-zyrtarë të lartë të qeverisë po përballen me drejtësinë. Mori si shembull kërkesën për rëndimin e akuzave për Ilir Beqajn.

Është vërtetuar se Ilir Beqaj ka 7 firma në proces dhe se është njëshi i atij procesi. Por që nuk mund të vihej në epiqendër, sepse pranë tij qëndronte Edi Rama. Këto dhe ato që ndodhin me Erion Veliajn, janë merita të një opozite që nuk rreshti kurrë dhe nuk do të rreshtë kurrë, gjersa ata të shkojnë bashkë me Edi Ramën në qeli”.

Berisha përsëriti qëndrimin kundër mbylljes së Tik Tokut. Ai e cilësoi vendimin krim kushtetues.

Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt prej xhelati të fjalës së lirë të narkodiktatorit Edi Rama. I garantoj të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve të 11 majit do të jetë hapja përfundimtare e TikTokut dhe ndëshkimi i xhelatit të fjalës së lirë për krim kushtetues”.

Berisha i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së thirrur nga Partia Demokratike, sot në orën 17, në kryeqytet.