Drejtori ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, ka reaguar përmes një statusi në rrjete sociale lidhur me një postim të bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha për projektin e portit të mallrave në Porto Romano.
Drejtori Vengu e konsideron “vegim” të Doktorit, statusin e këtij të fundit ku Berisha akuzon kryeministrin Rama si gënjeshtar “pasi paraqiti si projekt të portit të Durrësit, portin e Basras të Itakut”.
Drejtori Vengu sqaron se imazhet e prezantimeve teknike për portin e ri tregtar nuk janë të vjedhura, “por ilustrime të eksperiencave të mëparshme të kompanive konkurrente, ku ato demonstrojnë kapacitetin e tyre për të projektuar një Port mallrash.
Siç u tha dhe u stërtha, Projekti përfundimtar do të dorëzohet 6 muaj pas përzgjedhjes së kompanisë fituese, në një proces të hapur dhe konkurrues.” – shkruan Vengu.
Postimi i plotë:
Seriali “Doc. Berisha” po zgjat 3 dekada e ska të sosur! Herë pas here, në të ka dhe episode për Portet, ku publiku ndeshet me vegimet e Doktorit për ato që nuk arritën kurrë të bënin qeveritë që ai drejtoi.
Sa për të sqaruar publikun: imazhet e prezantimeve teknike për Portin e Ri në Porto Romano nuk janë të vjedhura, por ilustrime të eksperiencave të mëparshme të kompanive konkurrente, ku ato demonstrojnë kapacitetin e tyre për të projektuar një Port mallrash.
Siç u tha dhe u stërtha, Projekti përfundimtar do të dorëzohet 6 muaj pas përzgjedhjes së kompanisë fituese, në një proces të hapur dhe konkurrues. Ndryshe nga proceset ad hominem, të ndrydhura, të dhunshme, dhe prej pak muajsh, plot mërzi, që pasqyrojnë episodet e fundit të Serialit “Doc. Berisha”.