Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar deklaroi se, qytetarët protestuan sot në mosbindje civile për çlirimin e Bashkisë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qëndrestare dhe qëndrestarë. Misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë shqiptare. Të qytetarëve shqiptarë, të interesit kombëtar.
Një përshëndetje të përzemërt në emër tuaj mikut që kemi sonte midis nesh, zëdhënësit më të ndritur të shpirtit të kombit shqiptar. Artistit, shkrimtarit, luftëtarit të pamposhtur të interesit kombëtar të shqiptarëve, Çun Lajçi. Mbart me vete frymëzimin për çdo shqiptar, krenarinë për çdo shqiptar që e njeh veten të tillë dhe që i beson Shqipërisë dhe kombit tonë.
Sjell Rugovën, kështjellën e pamposhtur të kombit tonë, që i dha kombit burra të mëdhenj si Ibrahim Rugova. Por edhe shkrimtarë të mëdhenj si Azem Shkreli. Mbi të gjitha i dha kombit historinë e kështjellës së përjetshme të pamposhtur të tij.
Duke shprehur edhe njëherë mirënjohje të pakufishme për nderin e madh që na bëri me praninë dhe fjalën e tij, le të përshëndesim së bashku të gjithë ata që protestuan sot në mosbindje civile për çlirimin e Bashkisë së Tiranës nga fara më e keqe që ka njohur ajo bashki në tërë ekzistencën e saj, Erion Veliaj.