TIRANË, 26 prill 2013 – Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot rrugën Bërxull-Domje, në rrethin e Tiranës.

Në fjalën që mbajti para të pranishmëve kreu i qeverisë akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se gënjen para shqiptarëve kur deklaron shifra të paqena lidhur me rrugët e ndërtuara në këto tetë vite qeverisje të demokratëve.

“Vëllezër, shkoi në Shkodër dhe ju tha shqiptarëve se kjo qeveri ka ndërtuar gjithsej 600 km rrugë, sot nxorri dordolecin e tij, se kjo qeveri ka ndërtuar 1800 km rrugë. Po more, Shqipëria që endeni ju aq km ka, por Shqipëria që shëtisim ne, ka 18 mijë km rrugë. Le ta lemë gënjeshtrën e tij, në të shkuarën e tij. Por një gjë dua t’jua them, të jem i sinqertë me ju, nuk ka burrë në Shqipëri dhe arkitekt më të zot se ai, për humbje njëra pas tjetrës”,- tha Berisha. 

Kryeministri shtoi më tej se alternativa e së djathtës është vetëm investimi. “Cila është alternativa jonë, kopshte të reja, cerdhe, shkolla, kanalizime, vende pune, rritje rrogash, rritje pensionesh, po alternative tjetër kush është, e varfër në ide, e pasur me mashtrime e trillime të përditshme”,- deklaroi kreu i ekzekutivit. 

Rikonstruksioni i rrugës Bërxullë – Domje, me gjatësi 5.3 kilometër, është një investim me vlerë 232,308,000 lekë, financim i qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës. Kjo rrugë u vjen në ndihmë 10.000 banorëve të kësaj zone dhe lidh fshatrat Berxullë, Domje dhe Laknas me rrugën nacionale Tiranë – Durrës dhe superstradën e Rinasit. 

Ky investim shkurton kohën e udhëtimit krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës, duke lehtësuar gjithashtu lidhjen me qendrat administrative të komunës Berxullë dhe bashkisë Kamëz, shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore. 

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/