TIRANË, 20 shkurt 2013– Kryeministri Sali Berisha, duke folur sot në mbledhjen e qeverisë ka akuzuar sërish kreun e PS-së, Rama për taksën progresive.

“Dje faktoi se është skllav i thjeshtë i dajkos së tij, le të thotë që nuk është nipi i Spiro Kolekës, me taksën progresive është i biri i tij direkt. Unë e di që taksa progresive nuk është shpikje e Kolekës, por në Shqipëri ai e instaloi. Rama u thotë qytetarëve se infermieri paguan taksa si kryeministri, në fakt ai paguan 5 herë më pak. Tre elemente ka ai, e para që borxhi të llogaritet si përqindje e GDP dhe nga Banka, falja zot se nuk di ç’thotë, së dyti taksa Koleka dhe së treti se infermieri paguan taksë sa kryeministri. Ne jemi dhe do jemi kundër taksës progresive se është taksa kundër urrejtjes klasore, si taksë që shkatërron me dhjetra vende pune. Taksa progresive, që nxit evazionin fiskal. Pra, alternativat janë krejtësisht të ndryshme”,- tha Berisha.

Ndërsa foli për krijimin e një klime gjithnjë e më miqësore ndaj biznesit dhe për këtë Berisha deklaroi se është zgjeruar lista e mallrave e produkteve që hiqen nga TVSH-ja, kryeministri iu rikthye edhe njëherë Rilindjes së socialistëve që sipas tij është qesharake.

“Ai vendos Anastas Angjelin në vend të Papa Kristo Negovanit, Gramoz Rucin në vend të Koto Hoxhit, Finon e ka në vend të Abdyl Frashrit, Erion Veliaj në vend të Dervish Himes. Keni parë ju o zotërinj apo jo, kjo është arternativa, të tallesh me veten. Po veten ku e çoi se veten e fut në stratosferë, se ia gjeta këtyre një ekuivalencë. E pra si Rama është Koleka”,- tha me tej Berisha.