Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat, ku u pyet nga gazetarja për diskutimet që ka patur me Metën dhe zhvillimet e koalicionit. Berisha shprehet se në këto zgjedhje PD ka për të hyrë në koalicion me Ilir Metën dhe se nesër do të komunikohen zhvillimet e reja.

Kryedemokrati thotë se Rama është i frikësuar nga fuqia e PD-së dhe zemërata popullore, ku e krahason urrejtjen ndaj Ramës me atë ish diktatorit Hoxha. Për dorëheqjen e Bashës, Berisha thotë se kërkesa për në gjykatë është absurde, pasi nuk është procedurë ligjore në asnjë vend në botë. Këtë rast ai e paralelizon me “Frymë të vdekura” të Çiçikovit, ku jepet udhëtimi i tij për të “zaptuar” sa më shumë letra nga njerëzit e vdekur.

Gjithashtu Berisha denoncon për të disatën herë bashkëpunimin e Ramës me Yuri Kim për të shkatërruar opozitën.

Së fundmi ai u bën thirrje institucioneve ligjvënëse për të hetuar rastin e McGonigal dhe të gjithë të përfshirët në këtë histori.

Gazetarja: Ditën e sotme keni patur një takim me Z.Meta në kuadër të përgatitjes së marrëveshjes për koalicionin. Çfarë diskutuat me Z.Meta, keni rënë dakord që të dilni, apo kandidatët tuaj të regjistrohen në një koalicion me Ilir Metën, dhe përveç PL në rast se do të jetë në koalicion, cilat janë partitë e tjera me të cilat keni arritur marrëveshje për të dalë bashkë në zgjedhjet e 14 majit?

Berisha: Ka një vendim të Këshillit Kombëtar të PD.

PD hyn në këto zgjedhje në koalicion.

Ka një koalicion me Ilir Metën, të parin fare, sipas të cilit, Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ky koalicion do njohë zhvillime të tjera të reja dhe do komunikohen nesër zhvillimet e reja të këtij koalicioni.

Ne jemi të bindur se koalicioni është tmerri i Edi Ramës. Edi Rama është i tmerruar nga këto zgjedhje. Ai urdhëroi gjykatës të pamoral, pa ndërgjegje profesionale dhe njerëzore, të shkelmojnë ligjet në sallën e gjyqit. Ai, me pengjet e tij, po degradon çdo institucion të këtij shteti.

Dy gjëra dua t’ju them:

Njohja e Alibashës me autorizimin e një të dorëhequri, ekziston në një formë të ngjashme vetëm te Shpirtrat e Vdekur të Çiçikovit. Si episod! Nuk ka në historinë e botës një autorizim të vlefshëm, nga i cili ka dhënë dorëheqje që nga dita e dorëheqjes së tij e mbrapa. Këto janë testamente të shëmtuara politike të njerëzve që nuk kanë asnjë moral, të pengjeve që shfrytëzohen në mënyrën më të turpshme, të njerzve që nuk kanë asnjë dinjitet.

Së dyti, nuk ekziston në asnjë ligj dhe Kushtetutë, që zyrtari që jep dorëheqjen, duhet ta regjistrojë dorëheqjen në gjykatë. Këtu tejkalohet. Kanë dhënë dorëheqjen në këtë vend kryeministra, presidentë, ministra, etj. Askush asnjëherë në këtë vend nuk ka vënë kurrë në diksutim deklaratën e dorëheqjes. Siç bën Edi Rama me Lulzim Bashën që i thotë edhe je edhe s’je. Edhe i dorëhequr, edhe i kallur dhe i pakallur politikisht.

E kuptoni ju çfarë degradimi.

Dhe të gjitha këto vijnë nga tmerri që ai ka nga vota e lirë. Ai e ndjen se është i humbur, ai e ndjen se ka shpërthyer një urrejtje popullore ndaj tij, që nuk ka të krahasuar, përveç urrejtjes ndaj Enver Hoxhës.

Pikërisht për të lënë PD jashtë zgjedhjeve bllokoi procesin gjyqësor gjer 3 ditë para afatit të rëgjistrimit.

Pikërisht për një gjë të tillë, dorëzoi me Elira Kokonën, shkresën që lexuan gjykatësit. Pikërisht, sepse ka lepurin në bark, kombinoi me McGonigalin me fustan, e cila në shkelje të të gjitha parimeve të vendit të saj dhe këtij vendi, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të çdo parimi tjetër, u angazhuan në mënyrën më korruptive kundër Partisë Demokratike. Rama dhe Kim, të dy me mekanizmin McGonigal, do të dështojnë, siç dështoi ai.

I bëj thirrje edhe njëherë, inspektorit të përgjithshëm të DASH, i bëj thirrje FBI-së, i bëj thirrje Kongresit të SHBA, për një hetim të plotë për të gjitha këto veprime antiligjore, antikushtetuese, që shkelmojnë konventat ndërkombëtare të ambasadores Kim.

Sikundër e garantoj Edi Ramën se asgjë nuk mund ta shpëtojë atë pa pasur fatin e McGonigal, jo në Amerikë, por në Shqipëri.

Faleminderit!”