16 dhjetor 2013- Ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të një mesazhi në rrjetin social Facebook i është referuar shpërblimit për festat e fundvitit, duke thënë se heqja e tyre është kartolina e Vitit të Ri.  "Administrata pa shpërblim për festat e fundvitit, një pashpirtësi e vërtetë e Qeverisë Rama-Meta.

Të dashur miq, këtë vit administrata e Shqipërisë do të jetë e vetmja në Evropë dhe ndofta në botë që nuk do marrë shpërblimin e fundvitit. Kjo sepse Qeveria Rama-Meta, në një akt pashpirtësie, fondin e parashikuar me ligj për shpërblimin e fundvitit të administratës, do ta marrin për të paguar personat me aftësi të kufizuar, mbasi fondet për këta të fundit, janë shpërdoruar nga Qeveria për zyra, pajisje, orgjira, udhëtime, etj.

Heqja e shpërblimit të fundvitit, qe iu takon me ligj punonjësve të administratës, nga qeveritarët që kanë porositur pushimet e tyre në hotelet më luksoze të botës është kartolina e Vitit të Ri që dyshja Rama-Meta u dërgon punonjësve me paga të ulëta dhe të mesme të administratës publike".