Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se Kryeministri Edi Rama e ka humbur qetësinë për shkak të aferës së inceneratorëve.
Në një konferencë shtypi nga selia blu, Berisha foli për inceneratorin e Elbasanit, duke shpjeguar të gjithë procedurën ku janë të përfshirë ish-ministri i Mjedisit në atë kohë Lefter Koka dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi, të cilin e identifikon me epitetin “Don Agaçio”.
“Pse Edi Rama ka humbur gjumin? Nuk i rrihet më në Shqipëri por në kurriz të taksapaguasve shqiptarë me avion udhëton si gjëja më e pavlerë e Europës zyrtare. Pse? Lidhet me aferën e djegësve. Më 11.11.2014 ministri i Mjedisit Lefter Koka i drejton një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik duke i kërkuar dhënien e mendimit për procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit. Gjashtë ditë më vonë ministri Koka i drejton sërish një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik duke i kërkuar dhënien e mendimit për projektvendimin e sipërcituar.
Në ditë më vonë, më 18.11.2014 Agjencia e Prokurimit Publik i kthen përgjigje ministrit Koka duke cituar nenin 22, pika 3 të ligjit 125/2013 për koncesionet sipas të cilit për dhënien e PPP mund të përdoret vetëm njëra nga tre procedurat; e hapur, e n kufizuar dhe me negocim me shpallje paraprake të kontratës. Procedurën që kërkon kërkon ministri Koka me negocim pa shpallje paraprake, ligji shqiptar dhe botëror nuk e njeh. Agjencia e Prokurimeve Publike i kërkon ministrit që procedura të kthehet në përputhje me parashikimet ligjore. Në dijeni është vendosur edhe Sekretari i Përgjithshëm Don Agacio.
Ky i fundit ka qenë plotësisht në dijeni se procedura e propozuar ishte e kundërligjshme. Megjithatë Don Agacio “dhuratëmadhi”, i vetëdijshëm për shkeljen flagrante, i ka paraqitur qeverisë për miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave numër 907 datë 17.12.2014 për miratimin e sigurimit të financimit për kontratën koncesionare të inceneratoerit të Elbasanit. Madje në përmbajtjen e këtij vendimi thuhet se autoriteti kontraktues ka shpallur procedurë. Në një kohë kur ishte mëse e qartë se nuk kishte pasur asnjë shpallje”, u shpreh Sali Berisha.





