Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të ish-kryedemokratit Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeajt, duke i quajtur si pengje që kërcënohen nga Edi Rama.

Berisha ka thënë gjatë bisedës me gazetarët se Rama e kërcënon Lulzim Bashën me dërgimin e dosjes në prokurori, ku sipas tij rrezikon 6 vite burg.

Ndërsa për Alibeajn, Berisha e ka akuzuar se ka vëllain të përfshirë në ngjarje kriminale, si grabitje me armë në shtetin gjerman.

“Janë të dy pengje, Alibasha, me lidhje krimi me Edi Ramën. Ai kur të dojë Edi Rama ia çon dosjen në gjykatë, se një prokuror nuk ka firmosur e ka bërë me djallëzi të madhe, dhe aty ai shkon 6 vjet, e përcakton kodi për vepër penale. Ky tjetri ka vëllanë, grabitës me armë në Gjermani, në një vend tjetër mesa duket por me delikuenca të rënda. Ky ia fsheh këto. Ky nuk bën publike lidhjen, por ky i fsheh këto”, tha ndër të tjera Berisha

I pyetur për garantimin e votës në gjatë procesit të numërimit, Berisha tha se janë me qindra vëzhgues që do të garantojnë votën e demokratëve.

“Vëzhguesit tanë do numërojnë çdo votë, ne kemi vëzhgues me integritet të lartë, njerëz idealistë. Sikundër jam i sigurt se asgjë s’do mund të pengojë fitoren e kandidatëve. Fatmirësisht ka një vëzhgim ndërkombëtar shumë intensiv. Janë 210 vëzhgues plus qindra e qindra vendorë, Rama do bëjë gjithçka, por është i pashpresë në këto zgjedhje”, vijoi Berisha.