TIRANE, 22 prill 2013 – Kryeministri Berisha ka ironizuar sot me marrëveshjen e nënshkruar nga PS-LSI duke e cilësuar atë epitaf të Rilindjes. 

Ndërsa merrte pjesë në një aktivitet të organizuar në Njësinë Bashkiake nr.4 në Tiranë, në kuadër të Ditës së Tokës, kryeministri tha: “Ne mbollëm pemë, dhe kjo ndodhi në një ditë që u firmos epitafi i Rilindjes. Ne mbjellim pemë, ata firmosin epitafin e rilindjes. Ata që ua themeluan partinë, jua rithemeluan përsëri sot”.

Menjëherë më pas, Kryeministri komentoi edhe në Facebook lidhur me koalicionin e firmosur sot në Shkodër nga PS dhe LSI.

“Të dashur miq, sot në Shkodër majtistët firmosën epitafin e Rilindjes mavi. Për koincidencë apo ironi të fatit pikërisht ata që ua themeluan partinë në nëntor të vitit 1941, jua rithemeluan atë në prill të vitit 2013. Gazetarët dhe kronikanët e partive të tyre, që po kërkonin me ngulm në çdo qoshe, dhomë, madje dhe tualet të ndërtesës hijet e Dushan Mugoshës apo Bllazho Jovanovicit si dëshmitarë të aktit të rithemelimit, u qetësuan kur mësuan se në mungesë të tyre aktin e rithemelimit të Partisë rozë mavi e kishin formuluar me kujdesin atëror Vojo Koshtunica dhe Oliver Mugosha. Ndërsa për hymnin e këtij akti, Rama kishte zgjedhur Marshin mbi Kosovën të Goran Bregovic, të njeriut që Rama i vari Çelësin e Artë të kryeqytetit të Shqipërisë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Udhë të mbarë drejt të shkuarës! Ne jemi ndryshimi, Përpara! Sb”- shkruan Berisha.

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/