Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Gjermani pak ditë më parë.

Në një intervistë dhënë ditën e sotme për emisionin “Kjo Javë” në News 24, Berisha thotë se Rama në Berlin gënjeu për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas tij, Rama është pyetur se përse ish-ministri i tij, i cili akuzohet për trafik droge, nuk i hiqet imuniteti, por ai e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se Tahiri nuk ka imunitet.

Gënjeshtra më e dëmshme e Ramës në Berlin ishte pyetja për Saimir Tahirin. U pyet si ka mundësi që Prokuroria kërkon arrestimin dhe ju e bllokoni prokurorinë me imunitetin? Cila ishte përgjigja e Ramës për gjermanët? Mashtrimi më i madh që mund të bëhej: Saimir Tahiri nuk ka asnjë imunitet. Imagjino tani, u ngrit referenti i Bundestagut për Shqipërinë dhe i thotë: Jo o zotëri ti jo vetëm e bllokove arrestimin, por akoma më keq ti sulmove prokurorët. Kjo është e rëndë, se gënjeu dhe u tregoi se është skllav i Saimir Tahirit”,- tha Berisha.

Berisha i dinë edhe arsyet se përse Rama po e mbron Tahirin dhe sipas tij ai ka çështje me të cilat shantazhon dhe mban peng kryeministrin.

Një ndër dosjet që sjell në vëmendje Berisha, është ajo e laboratorit të ‘Xibrakës’ që u zbulua disa vite më parë,  për të cilën ish-kryeministri pretendon se pjesë e kësaj bande ka qenë edhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, transmeton Express.

Dhe Tahiri e ka dosjen, vazhdon me tej Berisha, dhe për këtë Rama nuk mundet të bëjë asgjë përballë ish-ministrit të tij.

“Po, e ka në dorë për dosjen e Xibrakës, e ka për politikën e kanabizimit, për fshehjen e Mark Frrokut, lirimin e Bardhok Pllanës. Tahiri ka përgjegjësi të mëdha por as një të dhjetën e tyre nuk do mund të realizonte pa mbështetjen e kryeministrit.”, -shprehet Berisha.

Ish-kryeministri ka komentuar edhe shpërthimin e dy javëve më parë të Saimir Tahirit jashtë sallës së Parlamentit, i cili përdori shprehjen e famshme të Ramës se “s’ka bir nëne dhe bir kurve”, që do ta pengojë atë për të zbuluar të vërtetën.

“Kjo është arsyeja që ia kthen batutat. Kur i bëjnë dhe nënat ashtu, ata qofshin janë fatkeqësia e nënave të tyre, kur përdorin ato terma për të cilësuar njëri-tjetrin. Kjo është gjuha kod e mafias. Ai është plumbi në zarf që ata i dërgojnë njëri-tjetrit në kuptimin figurativ.”, -tha ish-kryeministri Sali Berisha.