Ish-kryeministri Sali Berisha doli sërish këtë javë në një konferencë për shtyp. Ai u shpreh se Kryeministri Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës, por demokratët do t’i përgjigjen me të gjithë forcën dhe mundësinë.

“Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe unë u them demokratëve kudo që janë se me aktin e fundit ai ka shpallur një luftë totale për të cilën ne do t’i përgjigjemi me të gjithë forcën dhe mundësitë tona”, u shpreh Berisha.

Procesin ndaj tij dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Maltezi, Berisha e konsideron si procesin më politik të shekullit. Më tej, Berisha u shpreh se në proces janë reformat epokale që PD ka marrë kur ka qenë në pushtet dhe jo vetëm ish-kryeministri e familjarët e tij.

“Procesi është procesi më politik i këtij shekulli. Një proces nuk është vetëm Sali Berisha dhe familjarët e tij, jo absolutisht. Në proces janë reformat epokale të PD-së, të cilat goditen nga një gardë pretoriane, të cilat goditen nga falanga politike krimi, në një analizë që dëshmon urrejtjen e tyre për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që ka ndërmarrë PD në vite”, tha ish-kryeministri përballë gazetarëve.

Sipas tij, të gjithë demokratët duhet të jenë krenarë për reformat e tregut të lirë dhe demokracisë që PD ka ndërmarrë ndër vite.