TIRANË, 18 shkurt 2013 -Kryeministri Sali Berisha sulmoi sot nga mbledhja e grupit të Partisë Demokratike kryetarin e PS, Edi Rama. Sipas Berishës programi i PD, është i qartë, bashkëbisedim me qytetarët për cdo hall e ankesë të tyre, ndryshe nga Rama që sipas Berishës, përdor qytetarin vetëm për të marrë vota.
“Rama kur i do për vota i mashtron pensionistët, kur ata i kërkojnë gjë u tregon uturakun, pensionistëve. Por ka një gjë z Rama, 8 vjet rresht që votuan kundër rritjes së pensionit të tyre, kjo nuk të nderon, të nxjerr të zhveshur”.
Berisha këshillon deputetët e PD që të dëgjojnë me interes cdo ankesë të qytetarëve.
“PD me këtë bashkëbisedim, dialog me qytetarët, qëllimi më madhor është pasurimi i programit tonë. Shndërrimi i tij synon t’u përshtate e përgjigjet interesave të qytetarëve. Natyrisht nuk mund të plotësosh cdo interes personal. Por interesat kryesore mund dhe do të plotësohen. Ndaj dhe programi për të rinjtë, është një përgjigje e shkëlqyer e mirëpritur shumë nga vetë shqiptarët, për punësimin e tyre, programi do të jetë një nxitje e madhe dhe për fuqizimin e biznesit dhe rritjen e prodhimit në përgjithësi. Impakt ka pasur programi, sidomos paketa për bujqësinë. Paketë që do bëjë, do të ulë koston e prodhimit, do nxisë interesin për biznesin ka një potencial shumë të madh, por edhe unë them që këto takime të jenë praktikë, se ata kanë një seri pyetjesh dhe problemesh që ushtrojnë. Ju duhet t’i përcillni ato ankesa që të gjitha në mënyrë që të shqyrtohen në sensin më pozitiv. Sepse mundësia është. Qytetarët e kanë të qartë që ne mbajmë premtimet tona. Kjo është motoja jonë. Ne mbajmë premtimet tona”.
Berisha u ndal tek disa prej temave të cilat kanë qenë në qendër të vëmendjes nga opozita. Sulmin e Ramës për sistemin shëndetësor, kryeministri e cilësoi farsë, ndërsa shtoi se, shëndetësia është larg i të qenurit i përsosur, ka nevojë për përmirësime, për vëmendje të vazhdueshme, ka nevojë për një menaxhim qartësisht më kompetent dhe për dixhitalizim të plotë.
Kryeministri tha se kundërshtari është në hallin e tij më të madh, si dhe në ditën e tij më të vështirë.
“Kundërshtari është në hallin e tij më të madh, në logjikën e tij më të vështirë. Mbi një kaos total, konfuzion total. Çdo njeri mund ti ndodhë që të gënjehet njëherë. Njerëzve duhet tu prijë besimi, dhe është normale të besosh. Të gënjesh dy herë, ke gënjyer veten, thotë fjala urtë. Kjo është keq, e keqja është kur beson gënjeshtrat e tua. Kjo është e pashërim. Njeriu që beson gënjeshtrat. Po ta marrim si homosapiens, është ai që ka shikim, por nuk shikon, ka dëgjim, por dëgjon, ka ndjeshmëri, por nuk ndjen.”- tha Berisha, duke iu referuar kreut të PS-së, Edi Rama.