TIRANE, 10 korrik 2013 – Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje Ramën për kërcënim ndaj Presidentit të Republikës dhe revansh të pandalshëm ndaj institucioneve të vendit.

Në një postim në Facebook, Berisha ka përdorur shprehjen shkodrane “tash po ju kalon vedi’ për sjelljen e Ramës.

“Të dashur miq, dyshja Rama – Kokëdhima vazhdojnë furishëm revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit. Dje ata, me Twitter, hapën tenderin për fshesën e administratës. Sot në fjalën e tij, zoti Rama kërcënoi Presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin antikushtetues të Presidentit dhe heqjen së paku të tij nga kryetar i KLD-së dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e kryeministrit. Ai sulmoi dhe kërcënoi qeverinë, sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë, sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militantëve të PS, që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS. I ngarkon detyra Guvernatorit, duke harruar se Banka është e shtetit dhe jo e qeverisë. Programin ia ka besuar Beqes dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe veten kanë zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe çdo gjëje jo socialiste. Asgjë të papritur as dhe për t’u çuditur nga çifti Rama – Kokëdhima. Shkodranët e kanë një shprehje: “tash po ju kalon vedi!”-thuhet në mesazhin e Berishës.