Kryetari i PD-së, Sali Berisha u ndal te çështja McGonigal gjatë fjalës së tij në takimin me drejtues të degëve të PD-së në Tiranë.

Berisha theksoi se “ne përballemi me një armik të egër të votës së lirë, të opozitës, demokracisë, pluralizmit”.

“Ne kemi përballë një njeri i cili siç dëshmuan për çdo shqiptar, zhvillimet e fundit, nuk njeh asnjë kufi, asnjë mora, asnjë normë, në përpjekjet e tij për të shkatërruar opozitën shqiptare. Aktet e tij janë ndër aktet më kriminale. Ai që në vitin 2017, Edi Rama pasi futi në xhep mandatin e dytë, u tha shqiptarëve se tani do u tregoj unë se si do të qeveris, do të qeveris pa opozitë. Një opozitë e cila kishte humbur zgjedhjet, nuk mjaftonte kjo. Ajo nuk mund të tolerohej, ajo duhej të zhdukej dhe për këtë qëllim duhet të angazhonte organizatën më të fuqishme të planetit FBI-në. Duhet të korruptonte një nga 2-3 njerëzit më të rëndësishëm të kësaj organizate për të manipuluar, hetuar, apo tjetër, këto do ti thotë drejtësia, por qëllimi i vetëm për të marrë peng kryetarin e opozitës. Për të shndërruar opozitën në një kallp opozitë”, tha ai.

“Këtë akt e kryejnë vetëm armiq të betuar të demokracisë, idealeve demokratike, parimeve demokratike. Një akt të tillë nuk e kryen kurrë një njeri që beson në vlerat e demokracisë dhe sistemin demokratik”, shtoi.