DURRËS, 7 qershor 2013 – Premtimet e kryeministrit aktual që kërkon të fitojë një mandat të tretë në pushtet, si dhe akuzat ndaj rivalit Rama kanë karakterizuar prezantimin e kandidatëve për deputetë në Manëz të Durrësit. “Ju premtoj rimbursimin me para në dorë të akcizës  dhe të të gjithë TVSH e shpenzuar për makineritë. Ju premtoj zbritjen në  55 vjeç të pensioneve për minatorët. Premtoj rritjen e madhe të mëtejshme të rrogave dhe pensioneve dy herë më të lartë se çmimet. Premtoj ndërtimin e plotë të infrastrukturës më moderne, në të katër anët e bashkisë suaj në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë. Sistemin modern në vaditjes, për ju dhe të gjithë fermerët shqiptarë. Rrogën e 13 për të gjithë administratën shqiptarë.” Gjatë prezantimit, Berisha ftoi komunitetin të votojë për një jetë më të mirë përmes votës së hedhur për Oerd Bylykbashkin dhe kandidatët e tjerë për deputetë të Durrësit. Nga Manza, ai premtoi se fitorja e një mandati tjetër të të djathtëve do të sigurojë jo vetëm ndërtimin e shkollës, bibliotekës dhe terrenit sportiv, por do të mundësojë dhe realizimin e një tjetër premtimi, atë të uljes së moshës së pensionit për minatorët: “Para katër vitesh premtova se do ta bëjmë pensionin e minatorëve në 60 vjeç dhe e ulem, prapë ju premtoj minatorëve të Manzës, se pensioni do të ulet në 55 vjeç.”

“Do të bëjmë gjithçka për suksesin e bizneseve tuaja. Hoqëm çdo taksë dhe tarifë doganore për çdo biznes bujqësor dhe jo bujqësor, për të gjitha makineritë  që  nevojiten për prodhim. Ndërkohë vendosëm sistemin për të paguar me para në dorë TVSH e makinerive, mjeteve dhe kimikateve që përdornin në fermat tuaja. Vendosëm të paguajmë me para në dorë akcizën e naftës për fermerët e Manzës dhe të gjithë Shqipërisë. Ju premtoj, se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për sistemin më modern të vaditjes së fermave tuaja në Manzë dhe në mbarë Shqipërinë.

Ju garantojmë  mbrojtjen e prodhimeve tuaja. Vetëm rritja e numrit të turistëve në 4.7 milion ka dyfishuar kërkesën e tregut në Shqipëri brenda vendit, por ne do të mbrojmë  prodhimet tuaja, sepse i mbron çdo vend prodhimet e veta.”

Më tej, lideri i demokratëve ka sulmuar rivalin Rama dhe të ashtuquajturin fiksim të tij për veshjen antiplumb të tij, si dhe e akuzoi për mungesën e vizionit fiskal, si dhe sabotim të përpjekjeve të vendit për integrim:

“Cila është alternativa tjetër? Për gjyzlykët e tij, për mendjen e tij, këto katër vite në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë e mire. Gjatë të gjithë fushatës, në çdo takim nuk harron të servir këmishën, xhaketën apo jelekun tim si anti-plumb.

Ka fiksime nuk kemi çfarë ti bëjmë. Në dy gjëra ai përbën një rast unik në historinë e një kombi. Së pari për integrimin, bëri gjithçka pati në dorë për të shkelmuar këtë projekt. Së dyti, sot kur e gjithë bota po i ul taksat, për të dalë nga kriza, kur qeveria reformatore e Mario Montit  vendosi taksën e sheshtë për të nxjerrë Italinë nga kriza, sot kur institucionet më serioze të botës deklarojnë se Shqipëria e ruajti rritjen ekonomike dhe nuk ra në recension, ky kërkon heqjen e taksave të ulta dhe zëvendësimin e tyre me taksën, të cilën për herë të parë në Shqipëri e vendosi daja i tij, Spiro Koleka.

Taksa që ne kemi vendosur është taksa e të dhjetave, është taksa më e drejtë, më e ndershme, që ka ekzistuar në shekuj.  Me këtë taksë, çdo njëri paguan një të dhjetën e asaj që fiton. E dyta, kërcënim si shpatë Demokleu mbi fermat tuaja është vendimi i tij për të hequr TVSH mbi miellin, grurin, vajin, qumështin, vezët.”- ka vijuar kryeministri duke përfunduar se Rama “nuk merr vesh absolutisht nga fshati dhe tregu”:

“I doli një ditë përpara autobuzit mavi dhe u tmerrua, e tha se kjo nuk është rrugë. Po vëllezër, u tha qytetarëve: Ja rrugët e Saliut, të del lopa. Po të del lopa more zotëri, se kështu jemi ne. Kemi dhe veturën, dhe mushkën, kemi edhe lopën, por ecim përpara.”

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/