Ish kryeministri Sali Berisha, nga Lezha ka nisur takimin me demokratët në 31-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij Berisha foli për rrugëtimin e PD përgjatë këtyre viteve, ndërsa u shpreh se përulet përpara qytetarëve të Lezhës për besnikërinë e treguar ndër vite.
Berisha reagoi me kritika edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, teksa theksoi se Rama ka një qëndrim anti-shqiptar dhe se Shqipëria është i vetmi vend që arreston qytetarë për çështje civile.
Ai gjithashtu u shpreh se më 8 janar Rama tregoi se ishte autori i pushtimit të PD, me urdhër nga Beogradi.
“A mund të imagjinoni ju një qeveri që në 8 vite shpërdoron jo një apo dy, por sipas kontrollit të shtetit 8.2 miliardë euro. Ndaj kudo që t’i ktheni sytë në këtë vend, gjeni aq sa një qeveri normale realizon në 6 muaj. Ai është armik i egër i qenies tuaj sepse çdo ditë arreston njerëz që nuk paguajnë dot fatura sepse nuk kanë. Edhe në diktatura atyre ua jep me vlerë simbolike. Shqipëria është i vetmi vend në botë që arreston qytetarë për çështje civile dhe kjo është në përputhje me doktrinën e Millosheviç. Ai ka një qëndrim anti-shqiptar ndaj veriut të vendit. Edhe jugun e vjedh, vërtet ka çuar para shumë më tepër, por atje ka vjedhur 10 herë më tepër.
Ne me agjendën e lirisë duam të japim përgjigje më të vendosur, të përmbysim narkoshtetin dhe të çojmë shqiptarët drejt zgjedhjeve të lira. Ne jemi misioni i shenjtë të kthejmë votën e lirë tek shqiptarët. PS nga viti 2009 nuk ka votuar asnjëherë. Atje i zgjedh sikur të jetë tufë kryetari dhe shpeshherë ata i marrin vesh nga mediat. Ja si u katandis, ajo që duhet të ishte parti e shpresës. Duhet të kuptohet nga çdo shqiptar se kjo është betejë për liri. Më 8 janar Edi Rama faktoi se ai në mënyra e tij kriminale ishte autor i pushtimit të shtëpisë tonë, shtëpisë së PD. Nuk është problemi i një ndërtese, por i vendimit të zbatimit të shumicës ndaj pakicës. Ju votuat dhe pa këtë parim nuk ka demokraci. Ai rrethoi jo vetëm me 8 oficerë garde, por ai i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës”.





