Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh këtë të Premte se kryeministri Edi Rama po “bën gjenocid mbi shqiptarët me përzënien” e tyre nga Atdheu.

Në një fjalim të mbajtur nga Bulqiza, me rastin e 32-vjetorit të themelimit të degës, Berisha kujtoi lindjen e kësaj force politike. Duke u rikthyer te aktualiteti, kryedemokrati tha se sot pas 32 vitesh, përballemi me një monizëm të ri.

Revolucioni ynë ka një mision, shtoi ai, përmbysjen e regjimit të Edi Ramës.

“Ky monizëm nuk bazohet më në doktorinën çnjerëzore Marksiste-Leliniste, por bazohet në krimin, drogën, vjedhjen, varfërimin tuaj. Bazohet në urrejtjen e qeveritarëve ndaj qytetarëve. Bazohet në diskrimimin masiv të qytetarëve. Ndaj dhe ne jemi sot në këmbë, jemi përsëri në një revolucion, në një besë me njëri-tjetrin se do të ecim të sigurtë drejt fitores tonë. Sot kemi para jush kandidatë të shkëlqyer, Durim Fikun, në Peshkopi, Mat, kudo, njerëz që i zgjodhët me votën tuaj të lirë. Kemi kandidatë të vullnetit tuaj politikë. Nuk ndalin nga shpellat, nga perdet, por vijnë me firmën tuaj, vijnë me respektin e thellë ndaj jush”, u shpreh Berisha.

“Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë kandidatë të vullnetit të lirë, siç janë kandidatët tanë në këto zgjedhje. Revolucioni ynë ka një mision kryesor, fitoren e tyre, përmbysjen e monizmit bashki në bashki. Revolucioni ynë ka një mision, përmbysjen e regjimit të Edi Ramës. Një regjim i cili nuk është armik vetëm i demokratëve, por i mbarë shqiptarëve. Miqtë e mi! Nga viti 2014 deri në vitin 2022, nga ky regjim u larguan nga Shqipëria 937 mijë shqiptarë vetëm në BE. Nga këta rreth 80% nën moshën 32 vjeçare. Kurrë në histori, asnjë luftë, asnjë epidemi, asnjë pushim dhe asgjë nuk ka shkretuar shqiptarët sa Edi Rama”, shtoi më tej.

“Rama e ballukja s’mendojnë dot për fëmijët e Bulqizës së hanë darka 10 mijë dollarëshe me armikun e SHBA”

Berisha u ndal te deklarata e ish-të dashurës së Charles Mcgonigal se ish-agjenti i FBI-së dhe kryeministri Edi Rama konsumuan në një rast në SHBA, një darke që kushtoi rreth 10 mijë dollarë.

Ai po ashtu solli në vëmendje gostinë e shumëpërfolur te Nusreti dy vite më parë, të eksponentëve të rëndësishëm të qeverisë.

“Edi Rama nga mëngjesi deri në darkë me balluket dhe stërballuket nuk ka asnjë synim, vetëm të ju mashtrojë ju në mënyrë që të vazhdojnë të vjedhin. Nëse i hidhni sytë sot Shqipërisë, u them unë ju pasuria më e madhe e shqiptarëve përsëri ndodhet në Bulqizë edhe pse janë nxjerrë miliona e miliona ton krom. Ndodhet në Bulqizë, në Martanesh. Hidhni sytë këto vite, sikur dilni nga një luftë. Rrugë të shkatërruara, qendra shëndetësore, shkolla të mbyllura. Koha ka ndaluar për ju njerëz punëtorë, të mençur me intelektualë të fuqishëm, me potenciale të mëdha, sepse edhe rentën e hoqi. Sepse oligarkët i paguan atij ryshfetin, ua hoqi edhe rentën që duhet ta përfitonit me ligj për qytetin tuaj, për infrastrukturën tuaj”, tha ai.

“Nuk vazhdohet me këta. Këta nuk kanë shpirt, ndjenja. Po si mund të mendojnë për fëmijët në Ostren, apo në ndonjë fshat tjetër, ai që ulet dhe drekon me armikun, me armikun e SHBA-së. 10 mijë dollarë darkën. Po si mund të mendojë për fëmijët e Bulqizës, ballukja që këput biftekun 1 mijë euro. Por një zyrtar kurrë nuk mund të lëshohet në luks dhe shfrenim. Sepse një zyrtar e din nga i merr ai të ardhurat. Nëse nuk vjedh, 10 mijë euro është rroga e tetë muajve e tij. 1 mijë euro është pothuajse rroga mujore e saj. Por këta vjedhin, i kanë paratë pa numër, këta nuk pyesin. Ka ardhur koha të ua presim biletën”, shtoi Berisha.