Kryedemokrati Sali Berisha pretendon se kryeministri Rama sipas tij po bllokon negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian vetëm sepse kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri nuk lejon që ajo që ai e quan “mafia e pushtetit” të pushtojë brigjet.

Gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, kryetari i PD-së, Berisha shprehet se kjo është një ndër arsyet pse kryeministri Rama nuk pranon hetimin në komisionet parlamentare.

Sali Berisha:Edi Rama nuk mund të pranojë komisionet hetimore parlamentare për sterilizimin, sepse ai është bosi i sterilizimit. Kurrë një ministër nuk mund të nxirrte kryeministrin e vendit me një gërshërë të thyer dhe me një pincë me një krah për të mashtruar publikisht shqiptarët se ja si operoheshin ju, para se muratori im të merrte sterilizimin e veglave të kirurgjisë. Në këtë rast, Beqaj është thjesht një Lefter Kokë, kurse koka e Meduzës e vjedhjes dhe e krimit është Edi Rama. Edi Rama nuk pranon dot komisionin hetimor parlamentar për check-upin që e ka bashkëshortja e kushëririt, që regjistron në seri shpirtra të vdekur si në defteret e Çiçikovit për të vjedhur dhe mbushur xhepat me miliona euro. Edi Rama nuk mund të pranojë hetimin e plaçkitjes së pronave të qytetarëve shqiptarë me të ashtuquajturat investitorë strategjikë sepse është vetë një nga makutërit, një nga plaçkitësit më të mëdhenj të këtyre pronave.

Po bllokon negociatat, siç i ka bllokuar për 10 vite me radhë, i bllokon edhe tani vetëm e vetëm pse Beleri është një lloj Bollanoje që nuk lejon që mafia e Edi Ramës dhe e pushtetit të pushtojë brigjet dhe tokat e banorëve të bregut. Nuk lejon. Këtu është gjithë problemi, ndaj dhe ai nuk pranon hetimin. Qytetarë, do thoni ju fjalën tuaj. Sot revolta po vlon në shpirtin e çdo shqiptari. Sot revolta po zien në shpirtin e çdo shqiptari. Sot më shumë se kurrë, imagjinata e shqiptarëve punon për mosbindjen civile. Parlamenti është bër shembulli më i gjallë, më frymëzues, më magjepsës i të gjithë atyre që janë të vendosur të angazhohen në një betejë pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi banditesk. Edhe njëherë, seanca e gjyqit shtyhet për ditën e hënë.

Projektligjin për komisionet hetimore, Berisha e quan “ligji tipik i shpellës”.

Sali Berisha:Është tipik ligji i shpellës. I shpellës Kaloi te shpella. Po fole, prapa koke. Kjo është hapi drejt saj. Do betohem që nuk do nxjerr asnjë sekret, në qoftë se Linda te Abi Bank ka pasur aksione. Do betohem që nuk do nxjerr asnjë sekret në qoftë se Edi Rama ka udhëtuar me dhjetëra herë me Ismailin e tij për vakanca në vende të ndryshme. Pra, është tipik ligji i bodrumit, i shpellës.