TIRANE, 20 prill 2013 – Është mbledhur sot pasdite kryesia e Partisë Demokratike, gjatë mbledhjes së të cilës u diskutua për konkretizimin e koalicionit parazgjedhor të partive të djathta dhe të qendrës.
Kreu i PD-së Sali Berisha tha se ky koalicion është koalicioni i së djathtës së bashkuar.
Duke u ndalur tek zhvillimet më të fundit në KQZ, Berisha sulmoi kreun e Partisë Socialiste për ngërçin e krijuar. Ai tha se Kodi Zgjedhor parashikon që KQZ të ketë në përbërje anëtarë të pozitës dhe opozitës si dhe i cilësoi kërkesat e kryesocialistit Rama si qesharake.
“Më duhet t’ju them se koncepti i zotit Rama se meqenëse një parti e koalicionit qeveritar kalon në anën e opozitës, mendimi i tij se tani është edhe opozitë edhe qeveri, është thjesht marrëzi. Kushtetuta e vendit e ka te përcaktuar kush është qeveri dhe kush është opozitë. Në të gjitha ligjet e vendit balanca e institucioneve të zgjedhjeve është balancë midis qeverisë dhe opozitës.”- u shpreh kryeministri.
Më tej ai foli për programin e Partisë Demokratike për 4 vjetët e ardhshëm. Sipas shefit të qeverisë, programi ekonomik i PD-së përmban punësim për të gjithë shqiptarët.
/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





