Tiranë, 25 qershor 2014 – Në bashkëbisedimin e tij të sotëm me gazetarët, ish kryeministri Sali Berisha u ndal në dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë duke e cilësuar atë si realizim të qëllimit të çdo shqiptari. Ai tha se “Teza e Edi Ramës, për forcat e djathta se penguan statusin, ishte thjesht një gjethe fiku që ai deshi t’i vendoste vetes së tij”.
Në vlerësimin e tij për funksionimin e koalicionit Rama-Meta, Berisha tha se koalicioni po funksionon duke mbajtur nën presion kreun e LSI, Ilir Meta: “A e dini ju të dashur qytetarë dhe qytetare sesi funksionon “aleanca”? Pas çdo udhëtimi, Edi Rama i thotë bashkëkryetarit tjetër se më kërkuan arrestimin tënd. por unë Lilo nuk do të të arrestoj. A e dini ju se Edi Rama u thotë bashkëbiseduesve perëndimor se unë do të merrja armët kimike për të shpëtuar nga Ilir Meta. Dhe ata hapin sytë se çfarë është ky”.
Në të njëjtën kohë, Berisha tha se teza se Shqipërisë iu vonua statusi për shkak të forcave të djathta në BE, është një mashtrim fund e krye dhe i paskrupullt. “Në qoftë se do të ishin forcat e djathta që do të përcaktonin këtë, Shqipëria ndoshta nuk merrte ndonjëherë statusin e vendit kandidat. Në qoftë se do të ishin ato që diktuan refuzimin e tij në dhjetor, këtë qershor ato janë më të forta se kurrë numerikisht dhe ai vendim nuk do të mund të ishte marrë. Sado që forcat e djathta janë një realitet i pamohueshëm, në asnjërin nga vendet ku ato edhe mund të kenë dalë parti e parë, nuk kërcënojnë BE dhe perspektivën europiane të vendeve të tjera, sepse forcat e moderuara, në secilin prej këtyre vendeve të marra së bashku, janë qartësisht dominuese dhe vendimmarrjen nuk e kanë forcat e djathta”,- tha Berisha.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





